Albin Kurti ra të dielën e 26 tetorit nga testi që e kërkoi me ngulm për muaj të tërë. Lideri i Vetëvendosjes nuk arriti të ribëhej kryeministër, në mungesë të 61 votave të nevojshme.
Për dështimin me numrat, për formimin e Qeverisë Kurti 3, Albulena Haxhiu e kësaj partie u zu ngusht sot para gazetarëve.
Në konferencën për media pas mbledhjes së Kryesisë, ajo u pyet nëse do të kërkojnë falje për deklaratat e vazhdueshme kur partia e saj këmbëngulte se, sapo të zgjidhej kryetari i Kuvendit (post të cilin e synonte vetë Haxhiu), qeveria do të formohej menjëherë.
Por, kur premtimet iu përmendën, Haxhiu tha se dështimi i së dielës është i ‘përkohshëm’, duke u shprehur e bindur se do të formohet qeveria.
“Mendoj që qytetarët sikurse edhe ju, e keni parë që Qeveria Kurti nuk është votuar, por nuk është votuar vetëm përkohësisht. Natyrisht se do të ketë qeveri Kurti 3”, tha Haxhiu, transmeton Klankosova.tv
Kujtojmë se mandatari për krijimin e qeverisë, Albin Kurti është i pari në historinë e Republikës të cilit Kuvendi nuk ia votoi kabinetin.
Qeveria Kurti 3 nuk kaloi pasi mori 56 vota pro, 52 kundër e 4 abstenime.










