Prej 500 euro pagën minimale “nuk e lejon formula” dhe “tallje e rëndë”, Murati në terrene antiligjore për fushatë

  • 500 euro pagën minimale “nuk e lejon formula”
  • 500 euro paga minimale “është tallje e rëndë me qytetarët, që duhet ta dinë se nuk bëhet”.

Shqiptuesi i këtyre fjalëve është askush më pak se Hekuran Murati: njëra në gusht 2024, dhe tjetra në maj 2023. Si Qeveri e kishin çuar më 350 euro në tetor të vitit 2024 (pa konsultuar as bizneset e afektuara madje siç e parasheh ligji) dhe kush propozonte 400, 450 ose 500 euro pagë minimale, Hekuran Murati, me irritim e quante “tallje të rëndë” me qytetarët dhe se rrjedhimisht, qytetarët duhet ta shihnin për çështje kollajësie e papërgjegjësie opozitare në deklarim, e madje edhe elektorale. Me ekonominë e Kosovës kaq sa është, Murati e tregonte para një viti se “nuk e lejon formula” dhe se duhej mjaftuar me kaq, për kohën në fjalë. Nga koha në fjalë, asnjë parametër i ekonomisë vendore s’ka ndërruar.

Tash kur vendi është një vit pa institucione dhe as një javë kur Albin Kurti i Vetëvendosjes u rrëzua me votë në Kuvned të Kosovës, përkatësisht nuk pati numra për të zgjedhur qeveri, Hekuran Murati pretendon të ketë nisur një proces për rritjen e pagës minimale në 500 euro. Dhe, dukshëm, për efekt zgjedhor kur veçse pritet të konstatohet se Kuvendi ka dështuar të zgjedh qeveri, dhe rrjedhimisht edhe të shpërbëhet.

Pa kapacitet vendimarrës, pa qeveri të legjitimuar dhe thjesht në detyrë, me vendim të Gjykatës Supreme i shpallur si ministër i paligjshëm dhe antikushtetues (ngase mban mandat deputeti), Murati sot ftoi përfaqësues biznesesh dhe sindikatash për të diskutuar rritjen e pagës minimale.

Se nga ia ka derivuar logjikën juridike këtij veprimi, Murati nuk është shpjeguar.

Juristi Naim Jakaj nga Instituti Kosovar për Drjetësi, shpjegoi rrugën ligjore se si ngritet paga minimale në vend – dhe, asnjë shteg ligjor s’përkon me veprimet e Hekuran Muratit.

“Konstituimi i Këshillit Ekonomiko-Social (KES). Propozimi i shumës së pagës minimale nga Sindikatat, MFPT dhe Odat Ekonomike.Publikimi i propozimeve në Platformën Online për Konsultime Publike (së paku 15 ditë). Adresimi i komenteve nga KES. KES merr vendim për nivelin përfundimtar të pagës dhe ia propozon Qeverisë për miratim. Vendimi hyn në fuqi dhe zbatohet në pagat e punëtorëve nga 1 shkurt 2026. Çdo konsultim jashtë kësaj procedure nuk është ligjor.Pa Qeveri funksionale (legjitime dhe legale) dhe pa Këshill Ekonomiko-Social të konstituuar, nuk mund të ketë vendim të vlefshëm për pagën minimale”, shkroi Jakaj në Facebook.