KQZ vazhdon përgatitjet për balotazh

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vazhduar me përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve, që do të mbahen me 9 nëntor.

KQZ ka filluar mbajtjen e programit dy-ditor të trajnimit për anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, në kuadër të përgatitjeve për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.

“Në trajnim po marrin pjesë anëtarë të KKZ-ve, zyrtarë të trajnimit dhe personel tjetër zgjedhor nga komunat ku do të zhvillohet votimi. Qëllimi i këtij programi është të forcojë kapacitetet profesionale dhe organizative të personelit zgjedhor, për një proces të drejtë, të rregullt dhe transparent. Trajnimet fokusohen në: menaxhimin e materialeve zgjedhore dhe procesin e trajnimit; zbatimin korrekt të procedurave ligjore dhe teknike në vendvotime dhe qendrat e numërimit. Realizimi i këtij programi mbështetet nga Misioni i OSBE-së në Kosovë”, thuhet në njoftim./Reporteri.net