Partitë e konfirmojmë pjesëmarrjen në takim me presidenten: A janë zgjedhjet e reja e vetmja zgjidhje?

Partitë politike e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e nesërm me presidenten Vjosa Osmani, e cila i ka ftuar liderët politik për të diskutuar rreth caktimit të mandatarit të dytë për formimin e qeverisë. Pas dështimit të Albin Kurtit si mandatari i parë për t`u bërë kryeministër, partitë politike kanë treguar se cila është zgjidhja për daljen nga ngërçi aktual politike.

Zyrtarët e partive politike kanë treguar se në takimin e nesërm, i cili do të mbahen nga ora 12:00, prezent do të jenë kryetarët e partive.

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë për Nacionalen se në ketë takim do të jetë kryetari i kësaj parti, Memli Krasniqi.

Edhe zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa ka bërë me dije për Nacionalen se kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku do të jetë në takim te presidentja.

Kurse, zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli, ka treguar për gazetën se në këtë takim kjo parti do të përfaqësohet nga kryetari i saj Ramush Haradinaj.

Pas dështimit që qeveria Kurti 3 të zgjidhet të dielën në Kuvend, zyrtarët e VV-së, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë bërë me dije se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme.

Një gjë të tillë e ka pranuar edhe kryetari i VV-së, Albin Kurti.

Në një konferencë për media, të cilën e ka mbajtur në fillim të javës, Kurti ka thënë se çështja e mandatarit të dytë është në diskrecionin e presidentes.

E dimë që për herën e dytë, eventualisht, është në diskrecionin e saj çështja e mandatarit për formimin e Qeverisë. Nga ajo çfarë dëgjuam dje dhe në bazë të rrethanave që ekzistojnë, duket që të gjithë tash po përgatiten jo vetëm për balotazhin, por edhe për zgjedhjet e reja parlamentare”, ka thënë Kurti.

Madje, sipas tij, vendi po shkon drejt dy palë zgjedhjeve nacionale.

Mbase është për të ardhur keq që do të mund të kemi, përveç balotazhit, edhe dy herë zgjedhje. Edhe zgjedhje në dimër, edhe zgjedhje në pranverë. Sepse kur nuk arritëm t’i bëjmë 61 deputetë për një Qeveri të re, atëherë është vështirë e imagjinueshme që do të mund t’i bëjmë kollaj 81 deputetë në pranverën e vitit të ardhshëm”, është shprehur Kurti.

Por, duket se presidentja Vjosa Osmani nuk pret zgjedhje të reja.

Në një intervistë për DË gjatë vizitës në Gjermani, ajo kishte treguar se si do të vepronte, nëse Albin Kurti dështohet të bëhen kryeministër.

Në qoftë se ka marrëveshje, mund të mbahet seanca dhe mund të ketë qeveri. Në qoftë se s’ka marrëveshje, atëherë si presidente e vendit do t’i ftoj të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën, sepse mendoj që është përsëri herët të flasim për zgjedhjet e jashtëzakonshme, por ajo është një alternativë në qoftë se nuk krijohet shumica”, ishte shprehur Osmani.

Vetëm pas takimit të nesërm do të dihet nëse vendi do të ketë mandatar të dytë apo vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

Meqenëse votat për formimin e qeverisë së nuk i ka as VV-ja dhe as partitë “opozitare”, njohësit e rrethanave politike kanë përmendur edhe mundësinë e formimit të një qeveria teknike.

Kjo qeveria, sipas tyre, do të kishte mandat të kufizuar vetëm për miratimin e Buxhetit Vjetor dhe Marrëveshjes për Planin e Rritjes së BE-së.

Deri me tani VV-ja është shprehur kundër çfarëdo qeveria teknike apo qeverie të unitetit.