Kandidati i pavarur për kryetar të komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, duket se ankesën e tij të 17 tetorit në PZAP nuk kishte përgatitur vetë.
Për një gjë të tillë duket se ai është ndihmuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka përkrahur në zgjedhjet e 12 tetorit.
Në ankesën që e ka dorëzuar me postë në 17 tetor në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për të kontestuar fitoren e Mehmet Ballazhit të PDK-së, Suma kishte harruar të ia heq emrin e VV-së nga ankesa e tij.
Në këtë mënyrë, ai e kishte marrë atë “copy – paste” nga ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje, e paraqitur në 15 tetor.
Ankesa e Vetëvendosjes nuk ishte bërë publike. Kjo ankesë mund të gjendet e përshkruara në vendimet refuzuese që i ka marrë PZAP-i.
Të dy ankesat, ashtu si janë parashtruar në PZAP, janë siguruar nga Gazeta Nacionale.
Madje, Suma kishte harruar ta fshijë edhe pjesën e preambulës së ankesës, në të cilën ka mbetur emri i parashtruesit të ankesës.
Në vend se aty të figuronte se parashtrues i ankesës është Rufki Suma, në ankesën e z. Suma figuron se parashtrues i ankesës është Lëvizja Vetëvendosje.

Ani pse ankesat janë paraqitur në data të ndryshme dhe larg njëra tjetrës, Suma edhe këtu është treguar i pavëmendshëm.
Ankesës së paraqitur ligjërisht në 20 tetor, Suma ia ka lënë datën 15 tetor, pikërisht datën që e kishte ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas të gjithave gjasave teksti i ankesës i shkruar nga Vetëvendosje është përdorur edhe nga Suma.
Në ankesa thuhej se “komisionerët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Komunën e Hanit të Elezit, më datë 14.10.2025, kanë evidentuar një dukuri të pazakontë që ka cënuar drejtpërdrejt fshehtësinë dhe vullnetin e lirë të votuesve. Në shumë vendvotime të kësaj komune është regjistruar një numër jashtëzakonisht i lartë i rasteve të votimit me asistencë, përfshirë persona të rinj, të arsimuar dhe pa asnjë arsye të ligjshme për të kërkuar ndihmë gjatë votimit”.
Ankesat e Vetëvendosjes dhe Sumës janë hedhur poshtë nga PZAP-i me arsyetimin se janë të pasafatshme.
Sipas rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ, kandidati i PDK-së, Mehmet Ballazhi, ka arritur të fitojë përballë Refki Sumës. Edhe në vitin 2021, rezultati ishte pothuajse i njëjtë./Nacionale










