Gjykata Speciale në Hagë ka konfirmuar për Front Online se informacionet lidhur me dëshmitarët e mbrojtjes në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, janë nën kompetencën ekskluzive të palës mbrojtëse, pasi bëhet fjalë për dëshmitarët që mbrojtja dëshiron t’i paraqesë në gjykim.
“Ne mund të ofrojmë vetëm informacion që është komunikuar publikisht nga mbrojtja tek Trupi Gjyqësor. Në parashtresën e tyre të datës 22 tetor, mbrojtja e Thaçit tregon se gjenerali Wesley Clark do të jetë dëshmitari i tyre i fundit dhe se ai nuk do të dëshmojë para pasdites së 18 nëntorit, ndoshta në mëngjesin e 19 nëntorit,” ka bërë të ditur Gjykata Speciale në përgjigjen e saj për Front Online.
Në parashtresën e dorëzuar më 22 tetor, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka njoftuar se Gjenerali Wesley Clark do të jetë dëshmitari i fundit i mbrojtjes.
“Gjenerali Wesley Clark do të jetë dëshmitari ynë i fundit dhe ai nuk do të dëshmojë para pasdites së 18 nëntorit, ndoshta në mëngjesin e 19 nëntorit,” thuhet më tej në përgjigje.
Gjykata ka theksuar se për më shumë detaje lidhur me dëshminë e planifikuar, duhet të konsultohet drejtpërdrejt dokumenti i dorëzuar nga mbrojtja.
Kur pritet të përfundoj gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së? Ja çfarë thonë nga Specialja
Sa i përket përfundimit të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të luftës së UÇK-së, Gjykata Speciale ka theksuar se është ende herët për të përcaktuar një datë konkrete.
Megjithatë, paneli gjykues ka njoftuar se palët duhet të jenë të përgatitura për të dorëzuar përmbledhjet përfundimtare të gjykimit deri më 22 dhjetor 2025.
“Trupi Gjyqësor ka treguar se palët duhet të jenë të përgatitura për të dorëzuar përmbledhjet e tyre përfundimtare të gjykimit deri më 22 dhjetor 2025. Megjithatë, Trupi Gjyqësor theksoi se kjo datë është vetëm një tregues i vlerësimit të tij për kohëzgjatjen e fazës së mbrojtjes dhe mund të përparohet ose të zgjatet, sipas nevojës,” thuhet në përgjigjen për Front Online.
Sipas rregullave të procedurës, brenda 21 ditëve pas dorëzimit të këtyre përmbledhjeve do të mbahen deklaratat përmbyllëse, ndërsa pas kësaj faze, trupi gjykues do të tërhiqet për vendim.
Aktgjykimi pritet të shpallet brenda 90 ditëve, me mundësi zgjatjeje deri në 60 ditë shtesë, në varësi të rrethanave të çështjes./Front Online










