Ndërsa qytetarët përballen me sfida të përditshme dhe presin që buxheti i komunës të shkojë për nevoja reale lokale, kryetari i Fushë Kosovës, Burim Berisha, vendosi të shpenzojë para publike për një spektakël bukurie ndërkombëtar që nuk kishte lidhje fare me punët e përditshme të komunës, shkruan Demokracia.com.
Në një vendim të marrë nga kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, rezulton se 4,000 euro të taksapaguesve lokalë janë shpenzuar për të mbuluar ushqimin dhe akomodimin e përfaqësuesve nga mbi 30 vende, pjesëmarrës në spektaklin e bukurisë “Miss Freedom of the World 2025 Kosovo‑Albania”, i cili është mbajtur nga 06–17 shtator 2025 në Kosovë dhe Shqipëri.

Ironia qëndron në faktin se eventi nuk ishte organizuar nga Komuna, por nga OJQ “Miss Freedom of the World”, duke e bërë përkrahjen financiare të Fushë Kosovës një lloj sponsorizimi indirekt. Sipas vendimit me protokoll nr. 1551 të datës 29.08.2025, Drejtoria e SHMS mori përsipër të mbulojë shpenzimet për ushqimin dhe akomodimin e mysafirëve ndërkombëtarë.
Pra, banorët e Fushë Kosovës mund të ndihen të privilegjuar që komuna u kujdes që modelet të ushqeheshin mirë, edhe pse spektakli i madh nuk kaloi përmes rrugëve të tyre. /Demokracia.com/










