Ishte i angazhuar me orar të plotë, me fjalë prej më të ngarkuarave, kundër mediave.
Nga kaq përbëhej ‘kontributi’ i tij publik, ndonëse ishte ligjvënës në dy legjislatura.
Dimal Basha, autor i fjalës ‘langarec’ dhe bashkëautor i një punimi famëkeq anti-UÇK me një shkollare maqedonase me jetë akademike të ndërtuar mbi antishqiptarizëm, Jana Arsovska, ia doli të ngjitej në krye të institucionit më të lartë të vendit: Parlamentin e Kosovës, ku vendosen ligjet dhe ku qeverive u buron, mbikëqyret, kërkohet llogaridhënie, për mandatin e marrë në drejtimin e vendit.
Me 71 vota ‘Për’ ai, në mënyrë demokratike, u zgjodh kryeparlamentar, e që në rast të skadimit të mandatit të Presidentit, bëhet edhe ushtrues detyre i Presidentit.
Edhe partinë Vetëvendosje ‘e tradhtonte’ një pakënaqësi në zgjedhjen e tij.
Fytyra të gëzuara brendapartiake nga zgjedhja e tij s’kishte, as aplauzë, as urime publike, dhe, kur i doli shkrimi anti-UÇK, e mbrojtën të dispasionuar se “siç ka thënë ai, nuk e ka shkruar ai”, me fjalë lakonike, të fjetura, dhe të painteresuar.
Megjithëkëtë, dorëheqje s’i kërkuan.
Zgjedhja e tij si Kryetar të Kuvendit kishte ndërruar vështrimin dhe aurën e respektit dhe kredencialeve kombëtare që pozita e të dytit të shtetit supozohej të bartte me vete.
Por, Albin Kurti i Vetëvendosjes, me të paraqitur ‘kabinetin (në tentativë) qeverisës’ e propozoi për Ministër të Infrastrukturës, post ky që mbante Liburn Aliu, dhe post nga i cili u dorëheq pas (dhe për arsye të) emërimit të Dimal Bashës si Kryetar të Kuvendit.
Dje në konferencë për media, tha se e ka paramenduar “gjithmonë” që Dimal Basha të jetë në qeveri, dhe se aty do të konsistonte “vlera e tij e madhe”.
“Për Dimal Bashën, gjithmonë e kam paramenduar në ekzekutiv. Ju e dini që propozimi i VV-së, ka qenë Alnbulena Haxhiu. Megjithëse u bë e pamundur me Albulenen, e provuam emrat të tjerë”, tha Albin Kurti.
Asnjë vërejtje për Dimal Bashën, tha Albin Kurti, nuk e kam pasur – por se dëshiron zhvendosjen e tij për shkak se “vlera e tij e madhe” do të ishte në Qeveri.
“Në fund u votua Dimali, besoj që Dimali e bën shumë mirë punën si kryetar kuvendi gjatë kësaj periudhe që është rreth dy mujore, nuk kam asnjë vërejtje për punën e tij. Dhe jemi një subjekt, por besoj që vlera e tij e madhe do të ishte në ekzekutiv. Dje ishte shanci që Basha të vinte në ekzekutiv, mirëpo po e duan aty”, tha Albin Kurti.
Para tre javësh, Albin Kurti, në cilësi veçse të deputetit, ishte në takim te Dimal Basha, Kryetar i Kuvendit të Kosvës. Aty tha se Basha iu “zotua” për bashkëpunim të ndërsjellë.
“Biseduam për rëndësinë e bashkërendimit ndërinstitucional dhe për prioritetet që na presin në këtë fazë të re të funksionimit të institucioneve”, tha Kurti.










