Suedia planifikon burgje për 13-vjeçarët për të goditur bandat kriminale

Suedia, e cila është prekur nga krime të rënda të lidhura me bandat, njoftoi sot planet për burgosjen e shkelësve që në moshën 13-vjeçare në qendrat e paraburgimit për të rinj – duke filluar nga vera e ardhshme – edhe pse ata nuk mund të mbahen penalisht përgjegjës për shkak të moshës së tyre.

Qeveria në Stokholm, më herët i ngarkoi autoritetit kombëtar të burgjeve krijimin e seksioneve në qendrat e paraburgimit për personat 15 deri në 17 vjeç – që kanë kryer krime të rënda.

“Ky mandat tani po zgjerohet për të përfshirë 13 dhe 14-vjeçarët”, njoftoi Ministria suedeze e Drejtësisë.

Për vite me radhë, Suedia është përballur me bandat kriminale që shpesh rekrutojnë të mitur për të kryer krime të rënda, përfshirë vrasjet.

Sipas legjislacionit aktual, 13 dhe 14-vjeçarët nuk janë ende penalisht përgjegjës, megjithëse një propozim legjislativ nga qeveria liberale-konservatore e kryeministrit Ulf Kristersson synon ta ndryshojë këtë për vepra penale veçanërisht të rënda.

“Ulja e moshës së përgjegjësisë penale për krimet më të rënda është e rëndësishme jo vetëm për të mbrojtur shoqërinë, por edhe për të ndihmuar fëmijët të largohen nga rruga e krimit”, tha ministri i Drejtësisë, Gunnar Strommer në një deklaratë.

“Kur 13-14-vjeçarët vrapojnë me armë, shoqëria duhet të përgjigjet me forcë të plotë”, tha Henrik Vinge, kryetar i Komitetit të Drejtësisë.

Gjithashtu, ai është anëtar i Demokratëve nacionalistë të krahut të djathtë të Suedisë.

“Fillimisht, do të krijohen 100 deri në 150 vende për shkelësit e moshës 13 deri në 17 vjeç. Seksionet e veçanta për të rinjtë pritet të jenë funksionale deri në korrik 2026”, sipas qeverisë.

Seksionet për djemtë do të krijohen në gjashtë qendra paraburgimi, ndërsa dy të tjera do të caktohen për vajzat.

“Adoleshentët e vegjël dhe të rritur do të mbahen të ndarë dhe i gjithë sistemi duhet të jetë në përputhje me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve”, tha ministria.