Burri i Albulena Haxhiut e akuzon Limajn për vjedhje votash, “harron” se gruaja e tij dhe Kurti e mirëprisnin Nismën në Qeveri

Vetëm një ditë pasi Nisma Socialdemokratë nuk e ka votuar qeverinë “Kurti 3”, burri i Albulena Haxhiut, Alban Krasniqi, është lëshuar në akuza të rënda ndaj Fatmir Limajt.

Anëtari i VV-së në KQZ e ka akuzuar liderin e Nismës për blerje të votave në Malishevë, komunë kjo e fituar nga Ekrem Kastrati i Nismës.

Këto akuza ai asnjëherë nuk i kishte përmendur para seancës të së dielës, ku qeveria “Kurti 3” nuk kaloi në Kuvend.

Krasniqi duket se ka harruar që bashkëshortja e tij, nënkryetare e Kuvendit nga radhët e VV-së, Albulena Haxhiu, dhe lideri i VV-së, Albin Kurti, e mirëprisnin Nismën e Fatmirë Limajt në qeveri.

Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ia ka faturuar votimin me asistencë Nismës që fitoi zgjedhjet për kryetar të komunës së Malishevës.

Ai e ka ftuar edhe prokurorin që të veproj në këtë drejtim.

Thënia “Ja kam votu votën” i ka rrënjët nga Nisma dhe sistemi i saj i kushtëzimit dhe shitblerjes së votës përmes asistencës. A ka turp më të madh se sa për një grusht votash ti detyrosh e ti trajtosh vajzat e gratë si analfabete dhe të padenja të votojnë pa mbikëqyrje të burrave dhe rrugaqëve të partisë që shërbejnë si asistues, ti trajtosh rininë si të paaftë e të padijshëm, pensionistët si të verbër?! Po mendojnë që e kanë arritur fitoren, por në fakt e kanë prekur FUNDin”, ka shkruar Krasniqi.

Këto akuza të Krasniqit vijnë vetëm një ditë pasi Fatmir Limaj me dy deputetët e Nismës Socialdemokrate nuk votuan për Qeverinë “Kurti 3”.

Pas dështimit të seancës për formimin e Qeverisë së Kosovës, zyrtarë të Vetëvendosjes kanë shpeshtuar akuzat kundër Limajt dhe partisë së tij.

Megjithatë, para seancës zyrtarët e lartë të VV-së kishin shprehur gatishmëri të plotë për të bashkëpunuar me Nismën.

Një gjë të tillë e kishte shprehur publikisht edhe bashkëshortja e Krasniqit, Albulena Haxhiu.

Kryeministri ka thënë që ka dorëzuar ofertën tek NISMA, por ende s’’kemi përgjigje. Presim që të kemi përgjigje pozitive, të na bashkohen në qeverisje. Ne kemi qenë shumë të gatshëm që t’i kemi partner në Qeveri. Urojmë që të kemi përgjigje pozitive nga NISMA”, kishte deklaruar Haxhiu.

Edhe lideri i VV-së, , Albin Kurti, ka folur hapur për bashkëqeverisje të mundshme me Limajn dhe Nismen Socialdemokrate.

Madje, ai për këtë çështje e kishte takuar Limajn disa herë.

Së fundmi, vetëm pesë ditë para seancës së 26 tetorit për votimin e Qeverisë, Kurti ka treguar në Londër për ofertën konkrete që ai i ka bërë Limajt.

Me partinë Guxo e cila i ka gjashtë deputetë, ne jemi marrë vesh me i pasë dy ministra. Me gjashtë deputetë- dy ministra. Unë kam qenë i gatshëm, NISMA-s me tre deputetë me ia dhënë: një ministër dhe nënkryetarin e Kuvendit. Po të ishte bërë Albulena Haxhiu kryetare e Kuvendit, Fatmir Limaj do të ishte bërë nënkryetar i Kuvendit. E kish marr një ministri dhe dy zëvendësministra”, ka treguar Kurti në Londër.