Paralajmërimi i Kurtit: A mund të ketë zgjedhje parlamentare edhe në dhjetor edhe në mars?

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dje nga objekti i Qeverisë së Kosovës, foli për situatën aktuale politike në vend.

Kritikoi LDK-në e partitë e tjera, por gjithashtu paralajmëroi për dy palë zgjedhje.

Sipas deklaratave të tij, zgjedhje mund të ketë edhe më dhjetor edhe në mars.

“Nuk kemi marrë ftesë nga presidentja Vjosa Osmani. E dimë se për herën e dytë është në diskrecionin e saj çështja e mandatarit për formimin e qeverisë. Nga ajo që dëgjuam dje, duket se të gjithë po përgatiten për zgjedhje të reja dhe për balotazhin në zgjedhjet lokale”, tha Kurti.

“Mbase është për të ardhur keq — përveç balotazhit, edhe dy herë të tjera zgjedhje. Edhe zgjedhje në dimër edhe zgjedhje në pranverë, sepse kur nuk arritëm t’i bëjmë 61 deputetë për një qeveri të re, atëherë është e pamundur t’i bëjmë 80 deputetë për zgjedhjen e presidentes. Kemi mundur së paku këto zgjedhjet e dhjetorit t’i evitojmë,” tha ai.

Pra, nëse fjalët e Kurtit qëndrojnë, qytetarët e Kosovës mund t’i bie të votojnë 5 herë brenda një viti. Zgjedhjet qendrore në shkurt, lokale më 12 tetor, balotazhi i nëntorit, zgjedhjet parlamentare në dhjetor, dhe të tjerat në mars.

Në pjesën më të madhe të kohës, përgjatë rreth 40 minutave sa zgjati konferenca, Kurti shpalosi një listë të gjatë pakënaqësish dhe zhgënjimesh ndaj Lidhjes Demokratike.

“Asnjëra nga partitë që i ftuam nuk pranoi të bëjë marrëveshje për bashkëqeverisje, megjithëse votat kishin përcaktuar që duhej koalicon. Dy herë ftuam LDK-në dhe ishim në kontakt me NISMËN, LDK refuzoi kategorikisht që qeverinë të udhëheq unë, as NISMA.” – tha Kurti.

Kurti foli për atë që e quajti “disponim të elektorateve të VV-së dhe LDK-së”, të cilin e interpretoi si dëshirë për shkëputje nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Po të rezonin ndryshe këto parti dhe të pranonin ofertën tonë, ne do t’i kishim numrat për qeveri të re, edhe do të mund të zgjidhnim presidentin pas katër muajve. Duke parë disponimin elektorateve të VV-së dhe LDK-së, që duan ta shkëpusin LDK-në nga PDK-ja. Më 2021 ia arritëm por vetëm 51 ditë.

Ai pretendoi se LDK refuzoi kategorikisht një koalicion me të, pa përfshirjen e PDK-së: “E vetmja mënyrë se si LDK pranoi të jetë në qeveri me ne, ishte vetëm me PDK-në. Kjo është e papranueshme. Ne jemi të interesuar për të zhvilluar shtetin, dhe jo ta mbajmë pushtetin.” – u shpreh ai më tej.

Kurti vazhdoi me sulme ndaj kësaj partie, ndërsa e quajti të pakuptimtë dhe “të çuditshëm” refuzimin e LDK-së, duke tentuar vazhdimisht përgjatë konferencës t’i përgjigjet negative nga kjo parti rreth ‘ofertave’ të tij për bashkëqeverisje si në intepretimin e tij  kundër realitetit zgjedhor dhe kundër interesave të elektoratit të vet.

“Kam pasur takime vetëm me LDK dhe Nisma. Kam besuar që me udhëheqjen e re të LDK-së/. Abdixhiku në 2021 ka qenë ministër i imi, unë e kam uruar. Limaj doli nga AAK, dhe me ata kam synuar. Tash në politikë përveç mospajtimeve janë edhe çuditë. Unë s’po e kuptoj LDK-në, sinqersisht. Nuk duan qeveri që udhëhiqet nga VV dhe unë. Nuk duan me partitë e tjera, por insistojnë në zgjedhje të reja ku do ta përsërisin që ne dalim të parët. Nuk dalin të parët. Është një çikë e çuditshme kjo sjellje. Ose bën koalicion si i treti me të pari, ose i dyti treti, diçka duhesh të bësh. Njëherë mendoja mos e kanë me mua personalisht se s’duan Albin Kurtin, mirëpo kur po e shohim tash para balotazhit, ata janë edhe kundër liderëve lokalë që duan bashkëpunim me VV. Mirë Albin Kurti spo bëka, po pse sbën sylejman meholli në Vushtrri?” – tha Kurti