Mali i Zi arreston dhjetëra turq dhe azerë pasi sulmuan me thikë një person në Podgoricë

Policia në Mal të Zi tha të hënën se kishte arrestuar dhjetëra shtetas turq dhe azerbajxhanas pas një fundjave dhune të shkaktuar nga goditja me thikë e një burri malazez në kryeqytetin Podgoricë nga një grup turqish.

Presidenti Jakov Milatoviç ka bërë thirrje për qetësi, ndërsa kryeministri Milojko Spajiç tha se qeveria e tij do të pezullojë përkohësisht regjimin pa viza për shtetasit turq dhe do të kërkojë “diskutime intensive” me Ankaranë mbi marrëveshjet e ardhshme të vizave.

Burri malazez u godit me thikë të shtunën në mbrëmje pas një shkëmbimi fyerjesh me një grup qytetarësh turq, megjithëse plagët e tij nuk ishin kërcënuese për jetën, shkruan Reuters.

Dhjetëra banorë vendas të dielën u hakmorën duke vandalizuar automjete me targa turke dhe në një moment detyruan disa qytetarë turq të barrikadoheshin në një kazino. Një restorant i drejtuar nga turq u thye me forcë dhe iu vu flaka në qendër të Podgoricës të dielën në mbrëmje.

Policia tha se kishte ndaluar dy persona të dyshuar për përfshirje në incidentin e goditjes me thikë, një shtetas turk dhe një azerbajxhanas, si dhe 45 shtetas të tjerë turq dhe azerbajxhanas të dyshuar për mungesë dokumentesh të ligjshme qëndrimi.