Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se prokurori Bekë Shala është arrestuar sot nën dyshimin për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, dhe me aktvendim të kësaj prokurorie është ndaluar për 48 orë.
“I dyshuari B.Sh., për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”, me aktvendim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është ndaluar për 48 orë.”, thuhet një njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kanë kryer bastisje në zyrën e punës dhe në banesën e të dyshuarit, ku janë sekuestruar prova materiale që do të përdoren gjatë procedurës hetimore.
Prokuroria ka bërë të ditur se, brenda afateve ligjore, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.










