Trupa ruse kanë hyrë brenda qytetit strategjik ukrainas të Pokrovskut

Elemente të trupave tokësore të Rusisë kanë hyrë në qytetin strategjik ukrainas të Pokrovskut, tha Kievi, me presidentin Volodymyr Zelensky, që tha se situata është “e vështirë” dhe se ka beteja “të ashpra” në dhe përreth qendrës rajonale.

Zelensky gjatë adresimit mbrëmjen e 26 tetorit tha se Rusia ka përqendruar një numër të madh të forcave përreth Pokrovskut dhe në komunitetin fqinj Mirnorad në rajonin lindor ukrainas, për të cilin është duke luftuar prej kohësh.

“Aty pranë Pokrovskut rusët kanë përqendruar forcat e tyre kryesore sulmuese – një numër i konsiderueshëm i forcave armike”, tha Zelensky.

“Sigurisht, kjo e bën situatën e vështirë në Pokrovsk dhe në të gjitha zonat përreth – luftime të ashpra në qytet dhe rrethinat e tij. Ka grupe vëzhguese dhe sabotuese të armikut në qytet”.

Megjithatë, Zelensky insistoi se forcat ukrainase po mbajnë vijat kryesore të mbrojtjes.

“Ne duhet të vazhdojmë t’i shkatërrojmë pushtuesit. Ne duhet të vazhdojmë t’u shkaktojmë rusëve humbjet më të mëdha të mundshme. Planet e Rusisë për fushatën e saj sulmuese janë shkatërruar gjatë dhjetë muajve të fundit falë guximit të luftëtarëve tanë”, tha ai.

Në Pokrovsk, qytet me 7.000 banorë – mbi 60.000 para luftës – ka një rrugë kyç dhe një hekurudhë të rëndësishme që ka qenë nën kërcënim të rrethimit nga forcat ruse në pjesën më të madhe të vitit. Në fillim të tetorit, presidenti rus, Vladimir Putin, pretendoi se trupat ruse kishin hyrë në qytet, por zyrtarët ukrainas e kishin mohuar këtë pretendim duke thënë se forcat e Kremlinit po pësonin humbje të mëdha në këtë zonë.

Më 26 tetor, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se disa njësite të këmbësorisë ruse – në total afër 200 ushtarë – kishin shmangur vijat mbrojtëse dhe po vendosnin pozicione brenda Pokrovskut.

Ndërkaq, forcat ruse sërish raportohet se kanë sulmuar brenda Rusisë. Autoritetet në rajonin rus të Belgorodit thanë se 16 persona u plagosën nga sulmet ukrainase me dronë afër zonave kufitare.

Mëngjesin e 27 tetor, kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin tha se njësitë kundërajrore ruse rrëzuan të paktën 34 dronë ukrainas që po fluturonin drejt kryeqytetit rus. Nuk ka detaje të tjera për këtë ngjarje, por dy nga katër aeroportet e Moskës u mbyllën përkohësisht.

Në rajonin Tula të Rusisë, afër Moskës, rreth 24 dronë ukrainas u rrëzuan më 27 tetor, tha guvernatori rajonal. Ndërkohë, guvernatori i rajonit Briansk tha se një person u vra dhe pesë të tjerë u plagosën gjatë një sulmi me dron.

Sulmet ukrainase në Rusi vijnë pasi një ditë më parë Moska goditi me dronë një ndërtesë shumëkatëshe në Kiev, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur 33 të tjerë. Zyrtarët ukrainas raportuan po ashtu se dhjetë të tjerë u plagosën gjatë një sulmi në rajonin lindor të Sumit. Ukraina vazhdon të përballet pothuajse çdo natë me sulme nga dronë dhe raketa ruse që godasin ndërtesa banimi dhe infrastrukturë civile në Kiev dhe në qytete të tjera të mëdha, larg vijës së frontit.

Moska, që nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 2022, mohon se shënjestron objektiva civile, pavarësisht provave të shumta që dëshmojnë të kundërtën. Kievi, ndërkaq, është kundërpërgjigjur duke goditur infrastrukturën e rëndësishme ushtarake brenda territorit rus, ndonjëherë larg nga kufiri./rel