Ekspertiza e OSHP-së zbulon shkelje serioze në tenderin për tregun e hapur në Shtime – konstatohet vendosje e kritereve diskriminuese dhe në kundërshtim me ligjin

Një eksperte e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) ka kapur në shkelje të rëndë Komunën e Shtimes, duke konstatuar se autoriteti kontraktues ka tentuar të manipulojë procesin e tenderimit prej 635 mijë eurosh për “Rregullimin e Tregut të Hapur – Faza III”, përmes vendosjes së kritereve të paarsyeshme, diskriminuese dhe të ndaluara me ligj, të cilat kufizojnë konkurrencën dhe favorizojnë operatorë të caktuar, shkruan Demokracia.com.

Ekspertja Florije Rexhepi konstaton se Komuna jo vetëm ka vendosur kërkesa të pamundura për t’u plotësuar sipas ligjit, por edhe ka tentuar të maskojë këto kritere përmes një përgjigjeje pa përmbajtje ligjore ndaj kërkesës për rishqyrtim, duke u përpjekur të krijojë përshtypjen e “korrigjimit formal”, ndërkohë që kriteret diskriminuese kanë mbetur të pandryshuara.

Fillimisht, kompania “Construction Group sh.p.k.”, ka paraqitur ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke pretenduar se Komuna e Shtimes, e udhëhequr nga Qemajl Aliu, ka vendosur kritere diskriminuese dhe favorizuese që kufizojnë konkurrencën.

Në ankesën e saj drejtuar OSHP-së, kompania pretendon se disa nga kërkesat teknike të vendosura në dosjen e tenderit janë të pakuptimta, të panevojshme për llojin e punimeve dhe madje juridikisht të pazbatueshme, pasi disa prej dokumenteve të kërkuara as që ekzistojnë në ndonjë autoritet shtetëror.

Kompania akuzon Komunën e Shtimes për kritere diskriminuese në tenderin për tregun e hapur

Eksperti sqaron se Komuna e Shtimes ka vendosur kërkesën që operatorët ekonomikë të kenë dy punëtorë të certifikuar për autovinq dhe telekop vinç, me certifikatë të lëshuar vetëm nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve. Ky institucion nuk lëshon certifikata individuale, por akrediton vetëm kompani private të trajnimit.

Eksperti e konsideron këtë kriter të paligjshëm dhe diskriminues sepse kufizon konkurrencën dhe pamundëson pjesëmarrjen e operatorëve që posedojnë certifikata valide nga kompani të akredituara.

 Kërkesa për makineri të panevojshme dhe joproporcionale me natyrën e projektit

Komuna ka kërkuar makineri si cisternë për pastrim rrugësh me peshë ngarkese 4 ton dhe kamion me vinç me kapacitet ngritës minimum 25 ton dhe shportë jo më pak se 27 metra.

Eksperti vlerëson se këto kërkesa nuk kanë lidhje me punimet aktuale të projektit (suvatim, estrih, vendosje dyersh etj.), duke konstatuar se janë vendosur për të favorizuar operatorë të caktuar dhe për të përjashtuar konkurrencën reale.

Komuna e Shtimes, pas pranimit të kërkesës për rishqyrtim nga operatori ekonomik, e ka aprovuar pjesërisht ankesën, por nuk ka specifikuar asnjë ndryshim konkret, as nuk ka dhënë arsyetim ligjor, duke shkelur detyrimin për përgjigje të detajuar për secilin pretendim ankimor.

Eksperti thekson qartë se vendimi i komunës është i paarsyeshëm dhe në kundërshtim me ligjin, duke lënë hapësirë për manipulim të dosjes.

Shkelje e nenit 7 të Ligjit për Prokurimin Publik

Të gjitha kriteret e kontestuara konsiderohen si:

  • Diskriminuese

  • Joproporcionale

  • Të pajustifikuara teknikisht dhe ekonomikisht

Sipas ekspertit, këto kritere dëmtojnë konkurrencën e lirë dhe rrezikojnë keqpërdorimin e fondeve publike.

Eksperti shqyrtues i rekomandon Panelit të OSHP-së që ankesa e kompanisë “Construction Group sh.p.k.” të aprovohet si e bazuar, të bëhen përmirësimet e nevojshme në dosjen e tenderit dhe të zgjatet afati për ofertim, duke i hapur rrugë konkurrencës së drejtë.

Ky raport i OSHP-së konfirmon se tenderi prej 635 mijë eurosh në Shtime është zhvilluar me kritere të vendosura në kundërshtim me ligjin dhe në mënyrë që mund të çojë në favorizim të operatorëve të caktuar, duke hapur dyshime serioze për korrupsion të mundshëm dhe kurdisje të procesit të prokurimit. Vendimi final pritet të merret nga Paneli i OSHP-së, i cili tashmë ka në dorë faktet dhe rekomandimin e ekspertit ligjor. /Demokracia.com/