Trupat ndërkombëtare nuk do të duan të imponojnë paqen në Gaza, thotë Mbreti i Jordanisë

Mbreti Abdullah i Jordanisë i ka thënë BBC-së se vendet do të refuzonin t’u kërkohej të “zbatonin” paqen në Gaza nëse do të vendoseshin sipas planit të armëpushimit të Trump.

Sipas planit të paqes prej 20 pikash të Presidentit të SHBA-ve Donald Trump, shtetet arabe dhe partnerët ndërkombëtarë duhet të angazhojnë forca stabilizimi që “do të trajnojnë dhe ofrojnë mbështetje për forcat policore palestineze të verifikuara në Gaza dhe do të konsultohen me Jordaninë dhe Egjiptin që kanë përvojë të gjerë në këtë fushë”.

Hamasi duhet të çarmatoset dhe të heqë dorë nga kontrolli politik i territorit.

“Cili është mandati i forcave të sigurisë brenda Gazës? Dhe shpresojmë që të jetë paqeruajtëse, sepse nëse është zbatim paqeje, askush nuk do të dëshirojë ta prekë atë”, tha Abdullah.

Në një intervistë ekskluzive për BBC, ai tha se Jordania dhe Egjipti ishin të gatshëm të trajnonin forcat palestineze të sigurisë.

“Ruajtja e paqes do të thotë të qëndrosh ulur aty duke mbështetur forcën policore lokale, palestinezët, të cilët Jordania dhe Egjipti janë të gatshëm t’i trajnojnë në numër të madh, por kjo kërkon kohë. Nëse ne vrapojmë nëpër Gaza në patrullë me armë, kjo nuk është një situatë në të cilën ndonjë vend do të donte të përfshihej.”

Komentet e Mbretit pasqyrojnë shqetësimin e SHBA-be dhe vendeve të tjera për t’u përfshirë në një konflikt të vazhdueshëm midis Hamasit dhe Izraelit, ose Hamasit dhe grupeve të tjera palestineze.

Abdullah tha se nuk do të dërgonte forca jordaneze në Gaza sepse vendi i tij ishte “shumë afër politikisht” me situatën.

Më shumë se gjysma e popullsisë së Jordanisë është me prejardhje palestineze dhe, gjatë dekadave, vendi ka pranuar 2.3 milionë refugjatë palestinezë që ikin nga luftërat e mëparshme me Izraelin – numri më i madh në rajon.

I pyetur nëse i besonte Hamasit që të mbante premtimin e tij për të hequr dorë nga çdo rol politik në Gaza, ai u përgjigj: “Nuk i njoh, por ata që punojnë jashtëzakonisht afër tyre – Katari dhe Egjipti – ndihen shumë, shumë optimistë se do ta zbatojnë këtë premtim”.

“Nëse nuk e zgjidhim këtë problem, nëse nuk gjejmë një të ardhme për izraelitët dhe palestinezët dhe një marrëdhënie midis botës arabe dhe myslimane dhe Izraelit, jemi të dënuar.”

Përpjekjet kryesore të ndërmjetësimit gjatë luftës janë kryer nga Katari dhe Egjipti në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara.

Jordanezët kanë qenë pjesë e një përpjekjeje ndërkombëtare për të ofruar ndihmë në Gaza dhe për të evakuuar fëmijë të sëmurë dhe të plagosur.

Mbreti ka fluturuar mbi territor në tre misione duke hedhur parashuta për furnizime me ndihmë.

“Të shikoja mbi rampën e pasme ishte thjesht tronditëse,” tha ai. “Shkatërrimi i asaj pjese të Gazës ishte thjesht një tronditje për mua.

“E kam parë vetë, dhe mënyra se si ne, si bashkësi ndërkombëtare, po e lejojmë këtë të ndodhë është marramendëse.”

Ai kërkoi mbështetjen e Presidentit Trump për të evakuuar 2 mijë fëmijë palestinezë të sëmurë rëndë nga Gaza. Në një takim në Shtëpinë e Bardhë me monarkun jordanez në shkurt, Trump e quajti atë një “gjest të bukur”.

Që atëherë, 253 fëmijë janë evakuuar në Jordani.

Në total, më shumë se 5 mijë janë evakuuar nga ana mjekësore, shumica në Egjipt, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar.

Më shumë se 15 mijë banorë të Gazës janë ende në pritje të evakuimit, përfshirë rreth 3 mjë fëmijë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Për të nxjerrë fëmijët dhe kujdestarët e tyre nga territori, ata duhet t’i nënshtrohen një kontrolli gjithëpërfshirës sigurie nga Izraeli dhe vendet pritëse.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka përshkruar procesin si “jashtëzakonisht të ngadaltë”.

Grupi ushtarak izraelit që mbikëqyr ndihmën për Gazën – Cogat – këmbëngul se i kushton “rëndësi të madhe” lehtësimit të ndihmës humanitare për Gazën, duke përfshirë evakuimin e pacientëve me “gjendje komplekse mjekësore”.

Ai thekson domosdoshmërinë e kontrolleve të sigurisë për individët që udhëtojnë nëpër territorin izraelit.