Anulohet seanca për rastin Banjska

Është anuluar seanca ndaj tre të akuzuarve në rastin “Banjska”.

Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq ishte paraparë të dalin sot para trupit me fillim nga ora 09:30.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se arsyeja e shtyerjes së seancës është që Gjykata e Shkupit nuk ka mundësi që të bëjnë lidhjen me video-konferencë pasi pajisjet nuk janë funksionale për dëgjimin e dëshmitarit të paraparë.

“Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti Special njofton se është anuluar seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të akuzuarve B.S, D.M. dhe V.T., pasi përmes emailit zyrtar nga Ministria e Drejtësisë së Republikës së Kosovës është njoftuar se autoritetet e Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht Gjykata e Shkupit, ka njoftuar se nuk kanë mundësi që të bëjnë lidhjen me video-konferencë për datën 27 tetor 2025, pasi pajisjet nuk janë funksionale për dëgjimin e dëshmitarit të paraparë”, thuhet në njoftim.