Dy avionë ushtarakë amerikanë rrëzohen në Detin e Kinës Jugore

Një helikopter dhe një avion luftarak të Marinës amerikane pësuan aksidente të ndara gjatë operacioneve rutinë nga aeroplanmbajtësja “USS Nimitz”.

Dy avionë ushtarakë amerikanë u rrëzuan të dielën në Detin e Kinës Jugore në dy incidente të ndara, njoftoi Marina e Shteteve të Bashkuara, pa raportuar viktima.

Fillimisht, një helikopter MH-60R Sea Hawk, që po kryente “operacione rutinë” nga aeroplanmbajtësja USS Nimitz, u rrëzua në det, sipas njoftimit të Flotës së Paqësorit të SHBA-së. Tre anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan menjëherë dhe ndodhen në gjendje të qëndrueshme.

Rreth 30 minuta më vonë, një avion luftarak F/A-18F Super Hornet u rrëzua po ashtu gjatë fluturimeve rutinë nga e njëjta aeroplanmbajtëse.

Dy pilotët arritën të hidhen me parashutë dhe u shpëtuan pa lëndime.

“Të gjithë personat e përfshirë janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore”, deklaroi Marina amerikane, duke shtuar se të dy incidentet janë nën hetim.

Humbja e dy mjeteve ajrore vjen ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ndodhet në një tur aziatik, pjesë e vizitës së tij të parë jashtë vendit në mandatin e dytë presidencial.

Më herët gjatë këtij viti, dy avionë të tjerë ushtarakë amerikanë u rrëzuan nga aeroplanmbajtësja “Harry S. Truman” në Detin e Kuq, në dy aksidente të ndara që ndodhën brenda dhjetë ditësh – një gjatë uljes dhe tjetri gjatë një manovre lëvizjeje.