Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka marrë vendim për diskualifikimin e kompanisë “Xhiti” Sh.p.k nga pjesëmarrja në të gjitha procedurat e prokurimit publik për një periudhë tre mujore, pasi është konstatuar se kjo kompani ka vepruar në kundërshtim me ligjin, shkruan Demokracia.com.
Rasti lidhet me aktivitetin e prokurimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me titull “Asgjësimi i materialit zgjedhor”.
Sipas KQZ-së, pas përfundimit të procedurave të vlerësimit, autoriteti kontraktues i ishte drejtuar operatorit ekonomik “Xhiti” Sh.p.k me kërkesë për dorëzimin e dokumenteve të provueshmërisë, ashtu siç parasheh neni 65 i Ligjit për Prokurimin Publik (LPP).
Mirëpo, siç thuhet në kërkesën e KQZ-së drejtuar OSHP-së, kompania nuk iu përgjigj kërkesës për dorëzimin e dokumenteve, ndërsa përmes një e-maili kishte deklaruar se kishte bërë gabim në vendosjen e çmimit, duke e vlerësuar ofertën e vet “shumë të ulët për t’u realizuar”.
“OE ‘Xhiti’ Sh.p.k nuk i është përgjigjur kërkesës së autoritetit kontraktues për dorëzimin e dëshmive të parapara në nenin 65 të LPP-së dhe i njëjti përmes një deklarate të dorëzuar përmes email-it ka deklaruar se kemi gabuar në vendosjen e çmimit dhe se çmimi i dhënë nga ne është shumë i ulët për të punuar”, thuhet në arsyetimin e KQZ-së.
Në këto rrethana, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte kërkuar nga OSHP që të merrte masa ndaj kompanisë, duke pretenduar se ajo ka shkelur nenin 25 të Rregullores për Prokurim Publik Nr. 001/2022.
Pas pranimit të kërkesës më 7 gusht 2025, OSHP e kishte njoftuar operatorin ekonomik “Xhiti” Sh.p.k për t’i dhënë mundësinë të paraqiste faktet dhe argumentet e veta. Por kompania sërish nuk është përgjigjur.
“OE ‘Xhiti’ Sh.p.k nuk i është përgjigjur kërkesës së OSHP-së, pra nuk ka dhënë faktet dhe argumentet e veta lidhur me pretendimet e AK-së”, thuhet në vendimin e panelit shqyrtues.
Pas shqyrtimit të provave, paneli i OSHP-së konstatoi se KQZ kishte dorëzuar dëshmi të mjaftueshme që vërtetonin se operatori kishte vepruar në kundërshtim me rregulloren e prokurimit publik.
“Paneli shqyrtues vlerëson se autoriteti kontraktues – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dorëzuar prova që dëshmojnë se OE ‘Xhiti’ Sh.p.k ka vepruar në kundërshtim me nenin 25.9 të Rregullores për Prokurim Publik”, theksohet në arsyetimin e vendimit.
Në përfundim, OSHP ka urdhëruar që kompania “Xhiti” Sh.p.k të diskualifikohet për tre muaj nga çdo pjesëmarrje në tenderë publikë, duke u mbështetur në nenin 99.2 të Ligjit për Prokurimin Publik dhe nenin 67.9 të Rregullores për Prokurim Publik Nr. 002/2024.
“Paneli shqyrtues konstaton se OE ‘Xhiti’ Sh.p.k duhet të diskualifikohet në kohëzgjatje prej tre (3) muajve nga pjesëmarrja në prokurim publik, për të gjitha procedurat e prokurimit”, thuhet në dispozitivin e vendimit të OSHP-së.
Vendimi i OSHP-së obligon gjithashtu KQZ-në të vazhdojë me operatorin e renditur në vendin e dytë në tenderin për “Asgjësimin e materialit zgjedhor”. /Demokracia.com












