Manchester City pësoi një humbje të papritur në Premier League. Skuadra e Pep Guardiola u mund 0-1 nga Aston Villa e trajnerit Unai Emery, duke i dhënë fund një serie prej nëntë ndeshjesh radhazi pa humbje në të gjitha garat.
Goli vendimtar i Matty Cash i riktheu “qytetarët” te humbja në kampionat pas gati dy muajsh. Kjo humbje u ka kushtuar shtrenjtë në renditje, me City tani gjashtë pikë prapa Arsenal në krye.
Pavarësisht zhgënjimit nga rezultati, Guardiola i bëri homazh homologut të tij spanjoll në një konferencë për shtyp, duke shprehur admirim të thellë për punën e Emery në Aston Villa.
“Kam shumë admirim për Unai, i cili është shumë i qëndrueshëm dhe i përgatitur mirë“, tha Guardiola. Trajneri katalanas theksoi vështirësinë e ndeshjes, duke e quajtur Aston Villa një nga ekipet më të vështira për t’u përballur jashtë fushe.
“Ata janë shumë të mirë në mbrojtje, madje edhe në goditjet standarde, dhe janë përmirësuar shumë vitet e fundit. Janë një ekip vërtet i kompletuar“, përfundoi ai, duke pranuar forcën dhe organizimin taktik të imponuar nga ish-trajneri i PSG-së.
The post Guardiola pranon humbjen: E pamundur ta çaje mbrojtjen e Aston Villa, ekip i vështirë për t’u mundur appeared first on Telesport.










