Pak minuta pas përfundimit të “El Clásico”, Jude Bellingham publikoi në Instagram një foto me krahët e hapur dhe mesazhin e qartë: “Të flasësh është e lehtë… Hala Madrid, gjithmonë!” Mesazhi dukej i drejtuar ndaj Lamine Yamal, i cili para ndeshjes kishte ndezur atmosferën me deklaratat e tij. Në “Kings League”, Yamal kishte thënë me ironi për madrilenët: “Ata vjedhin, pastaj ankohen…” Kjo deklaratë kishte shkaktuar reagime të forta në Madrid.
Një ditë para ndeshjes, ai publikoi edhe një video ku fliste për “krenarinë e lagjes” dhe përfundonte me fjalët sfiduese: “Frikën e lashë në Mataró, prej kohësh”. Yamal kishte ndarë gjithashtu një imazh nga një “El Clásico” e mëparshme me tifozë madrilenë që e ofendonin.
Bellingham, në vend të fjalëve, foli në fushë; asistoi dhe shënoi, duke vendosur ndeshjen. Më pas, në “story”, ai shtoi këngën “A Little Less Conversation” të Elvis Presley, ironi e hollë ndaj gjithë zhurmës që parapriu “El Clasico” e djeshme.

The post Bellingham i kundërpërgjigjet Yamalit në rrjetet sociale: Të flasësh është e lehtë… appeared first on Telesport.










