Shkodra më e prekura nga reshjet me intensitet të lartë në Shqipëri

Reshjet e shumta të shiut brenda 24 orëve të fundit e kanë rënduar gjendjen në disa pjesë të Shqipërisë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes atje thuhet se në terren kanë dalë strukturat e mbrojtjes civile në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe institucionet përgjegjëse, ata po ndjekin nga afër situatën në të gjithë vendin.

Ministria njofton se qarku i Shkodrës rezulton të jetë më i prekuri nga reshjet me intensitet të lartë.

“Që nga mëngjesi i sotëm ekipet e AKMC dhe FA kanë ndjekur në terren situatën në bashkinë Vau Dejës, ku aktualisht situata është drejt normalizimit. Niveli i ujit është ulur ndjeshëm dhe në disa banesa është tërhequr plotësisht”.

“Në zonat ku banesat rrezikoheshin nga prurjet e përroit, po ndërhyhet me eskavatorë për devijimin e rrjedhës dhe ngritjen e një argjinature mbrojtëse.  Gjithashtu po punohet në bashkinë Fushë Arrëz  dhe në njësinë administrative Gur i Zi për pastrimin e inerteve në akset ku ka patur rënie gurësh, për të garantuar qarkullimin normal”, thuhet në njoftim.

Nga qarqet e tjera të Shqipërisë nuk raportohen problematika në infrastrukturë apo banesa si pasojë e kushteve të motit. /Klankosova.tv

The post Shkodra më e prekura nga reshjet me intensitet të lartë në Shqipëri appeared first on Klan Kosova.