Albin Kurti nuk arriti sot të ribëhej kryeministër i vendit. I ‘urtë’ e i ‘butë’ para Kuvendit të Kosovës, kërkoi votat e deputetëve.
U testua siç kërkonte me ngulm dhe dështoi, raporton Klankosova.tv
Para pesë muajsh, kryetari i Vetëvendosjes kishte sfiduar partitë e tjera që të votojnë kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, duke u shprehur i sigurt se e kishte shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë e re.
Madje, në intervistën e tij për televizionin publik, kishte deklaruar se nëse nuk arrin të sigurojë shumicën, kjo do të ishte një fitore politike për opozitën, transmeton Klankosova.tv
“Ata nuk besojnë që unë nuk i kam 61 vota për kryeministër. Unë iu them atyre ‘me testoni’. Nëse ata besojnë që Albin Kurti si ka 61 vota të deputetëve për t’u bërë kryeministër përsëri, e kanë në dorë të më besojnë. Le ta votojnë Albulenën dhe le të më testojnë mua. Nëse unë dështoj, pikërisht kjo do të ishte fitore për ta. Nuk do të ishte fitore për ta duke e bllokuar Kuvendin dhe duke pamundësuar korumin.” – kishte deklaruar Kurti në RTK.
Çka deklaroi sot në ditën e testit të madh?
Në fjalën e tij para deputetëve, Kurti u bëri thirrje që të votojnë në interes të popullit dhe të mbështesin formimin e Qeverisë.
Por, pas paraqitjes së listës së ministrave, Qeveria “Kurti 3” mori vetëm 56 vota për.
Ky rezultat ishte i pritshëm, pasi Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishin deklaruar më herët qëndrimin e tyre kundër bashkëpunimit apo koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.
Të njëjtat qëndrime mbetën të palëkundura edhe sot.
Tashmë pritet që presidentja Vjosa Osmani t’i thërrasë partitë politike për takime konsultative brenda afatit kushtetues dhe ligjor.
Në rrethanat aktuale, pas tetë muajsh bllokadë politike, mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare duket e pashmangshme./Klankosova.tv
The post “Më testoni a i kam 61 vota”, Albin Kurti thoshte se dështimi i tij është fitore për ish-opozitën appeared first on Klan Kosova.










