Ftesat për pjesëmarrje në ceremoninë e emërtimit të rrugës “Isa Boletini” në Nju Jork zbuluan nuancat e karaktereve të dy kandidatëve për Kryetar të Mitrovicës.
Këshilli i Qytetit të Nju Jorkut e ka ftuar Arian Tahirin, Kandidat për Kryetar të Mitrovicës nga radhët e PDK-së, në ceremoninë e emërtimit të rrugës “Isa Boletini”në Staten Island të Nju Jorkut. Por, për dallim nga kundërkandidati i tij Faton Peci, Tahiri këtë ftesë as nuk e ka bërë publike në llogarinë e tij.
Paparaci.com e ka siguruar ftesën e Tahirit nga burime brenda ekipit të tij, e cila shihet se i ka ardhur nga anëtari i Këshillit të Qytetit të Nju Jorkut, David M. Carr.
“Z. Arian Tahiri,
Po ju shkruaj këtë letër për t’ju ftuar personalisht, në emër të Këshillit të Qytetit të Nju-Jorkut, në ceremoninë e bashkë-emërtimit të Rrugës “Isa Boletini”. Ngjarja do të mbahet në sheshin pranë shëtitores FDR, në South Beach, të dielën, më 30 nëntor 2025, në ora 11:00. Pres me padurim pjesëmarrjen tuaj më 30 nëntor që të festojmë së bashku arritjet e popullit shqiptar dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Me shumë respekt,
David Carr
Anëtar i Këshillit, Distrikti i 50-të”, ka shkruar Carr.
Tahiri dhe Carr duket se kanë miqësi më të hershme, pasi që kanë edhe fotografi të përbashkëta në Nju Jork.
Një ftesë të ngjashme, por nga një kongresiste, në cilësinë e Ministrit të Bujqësisë, ditë më parë e kishte marrë edhe kandidati tjetër për Kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, i cili e kishte publikuar me mburrje në llogarinë e tij, duke u shprehur fort i nderuar.











