Ngërçi në institucione vë në rrezik pagat e punëtorëve – Sindikatat japin alarmin për krizë, ja çfarë paralajmërojnë

Në vitin 2025, Kosova hyri në një fazë të re politike, me pritshmërinë për zgjedhje parlamentare e lokale.

Ndërsa Kuvendi po përballet me sfida të mëdha në konstituim dhe me ankesa në Gjykatën Kushtetuese, Qeveria aktuale në detyrë ka kompetenca të kufizuara derisa kreu i LVV-së, ka afat vetëm deri më 26 tetor t’i sigurojë numrat për Qeverinë e re.

 

Në këtë ngërç politik, çështja më emergjente është miratimi i buxhetit shtetëror për vitin 2026, i cili sipas, ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati pritet të jetë rreth 3.5 miliardë euro.

Për të garantuar funksionimin e shtetit dhe pagesën e punonjësve, buxheti duhet të kalojë nëpër faza të miratimit dhe të hyjë në fuqi më 1 janar, por pengesat politike dhe ligjore po e komplikojnë këtë proces.

Sindikatat në Kosovë kanë ngritur alarmin lidhur me situatën e pasigurt politike dhe vonesat në konstituimin e Kuvendit, që po rrezikojnë miratimin në kohë të buxhetit shtetëror për vitin 2026.

Ata paralajmërojnë se nëse buxheti nuk miratohet deri në fund të vitit, sektori publik mund të përballet me ndërprerje të pagesave duke shkaktuar pasoja serioze për punëtorët dhe funksionimin e institucioneve

Sindikata e Shëndetësisë paralajmëron protesta nëse buxheti vonohet dhe pagat nuk garantohen

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) ka ngritur alarmin për pasojat që mund të sjellë vonesa e miratimit të buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm.

“FSSHK shpreh shqetësim të thellë për situatën e krijuar si pasojë e vonesave në konstituimin e Kuvendit dhe ndikimin që kjo mund të ketë në miratimin me kohë të buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm”, tha ajo.

Kryetarja e FSSHK, Tevide Imeri tha për “Front Online” se ngërçi politik kanë futur sektorin shëndetësor në pasiguri të plotë.

“Çështja tashmë gjendet në Kushtetuese, dhe nuk dihet sa do të zgjasë procesi i vendimmarrjes. Si pasojë ekziston rreziku real që buxheti të mos miratohet brenda afatit ligjor, gjë që do të kishte pasoja serioze për funksionimin e sektorit publik”, thotë Imeri.

Sipas saj, nëse buxheti nuk miratohet brenda afatit ligjor nga janari institucionet shëndetësore mund të mbesin pa fonde për paga.

“Nëse nga janari ndodh të mos ketë buxhet të miratuar, ekziston mundësia që institucionet shëndetësore të përballen me mungesë fondesh për paga si dhe furnizime dhe shërbime esenciale. Kjo do të dëmtonte jo vetëm punëtorët, por edhe pacientët dhe sistemin shëndetësor në tërësi”, potencoi ajo.

FSSHK kërkon nga Qeveria garanci të qarta për vazhdimin e pagave dhe bashkëpunim të hapur me sindikatat.

“Sindikata kërkon nga Qeveria që të sigurojë garanci ligjore dhe financiare për pagesën e pagave edhe në rast vonese të miratimit të buxhetit, transparence të plotë dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me sindikatat për të shmangur pasigurinë dhe panikun  tek punëtorët shëndetësorë”, shprehet ajo.

Imeri nuk përjashtoi mundësinë e reagimeve sindikale, përfshirë protestat.

“FSSHK thekson se nëse nuk merren masa konkrete në kohë nuk përjashtohen reagime sindikale përfshirë protestat dhe veprimet tjera demokratike për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve”, ka thënë Imeri për “Front Online”.

SBASHK-u alarmon: Ngërçi politik rrezikon pagat e sektorit publik, LVV-ja duhet të krijojë institucionet

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj ka shprehur shqetësimin për ngërçin politik dhe vonesat në formimin e institucioneve, duke paralajmëruar pasoja serioze nëse buxheti nuk votohet së shpejti.

Ai tha për “Front Online” se mungesa e buxhetit do të linte pa paga punëtorët e sektorit publik.

“Institucionet të bëjnë zgjidhje nëse ka. nëse punëtorët e arsimit, policia, sektori publik në tërësi mbeten pa paga pas vitit të ri do të krijohet një gjendje e rëndë se shumica e tyre mezi e lidhin muajin me muaj dhe me pagat që i kanë e paramendo nëse mbeten edhe pa to”, u shpreh ai.

Ai kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje për neglizhencë, duke thënë se si parti fituese ka përgjegjësinë për krijimin e institucioneve.

“Është një neglizhencë e partisë që doli e para. për situatën që është deri tash fajet i ka LVV se ajo e ka obligim t’i krijojë institucionet. Kemi shumë kërkesa nga anëtarësia që s’po kemi ku me i adresuar në mungesë të parlamentit dhe institucionet”, ka deklaruar Jasharaj.

Sindikata e Policisë kërkon nga Qeveria garanci për pagat në rast të mosmiratimit të buxhetit

Nënkryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti ka folur për “Front Online”  lidhur me vonesat në konstituimin e Kuvendit dhe pasojat që mund të ketë kjo në miratimin e buxhetit për vitin 2026.

Ai ka paralajmëruar se zvarritjet mund të shkaktojnë vështirësi në ekzekutimin e pagave për sektorin publik.

“Sindikata e Policisë po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit politike që kanë krijuar vonesa në konstituimin e Kuvendit, dhe si rrjedhojë, rrezikojnë procesin e miratimit të buxhetit të vitit 2026. Në Polici është ngritur shqetësimi se në rast të zvarritjes së mëtejshme të këtij procesi, nga muaji janar mund të paraqiten vështirësi në ekzekutimin e pagave për sektorin publik, përfshirë edhe zyrtarët Policorë”, ka thënë Hoti.

Sindikata i ka bërë thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Financave të ofrojnë garanci me shkrim se pagat e punonjësve të Policisë do të vazhdojnë të paguhen, pavarësisht zhvillimeve politike.

“Sindikata e Policisë kërkon nga Qeveria dhe Ministria e Financave: Të japin garanci me shkrim që pagat e punonjësve në  Policinë e Kosovës, do të vazhdojnë të paguhen rregullisht edhe nëse buxheti i ri nuk miratohet me kohë”, thotë Hoti.

Beka për bllokadën institucionale: Zjarrfikësit janë në kredi, pa paga nuk mund t’ia dalin

“Mosmiratimi i buxhetit përbën një problem jetësor për shtetin dhe për punëtorët publikë”, kështu po paralajmëron për “Front Online” kryetari i Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka.

Ai thotë se ngërçi politik duhet të zgjidhet sa më parë, pasi vonesat rrezikojnë që shumë kategori të mbeten pa paga.

“Mos miratimi i buxhetit është problem jetësor dhe për shtetin e Kosovës. Ky ngërç duhet të zgjidhet sa më parë se është në interes të të gjithëve, nuk mund të interferojmë se kjo është çështje politike, janë të obliguar që të bëjnë zgjidhje, nuk duhet të mbetet asnjë kategori pa paga se kjo ndikon negativisht në shtet, pjesa dërrmuese e zjarrfikësve janë në kredi dhe nuk mund të ja dalin”, thotë Beka.

Ai kërkoi që qeveria e re, të marrë përgjegjësinë për zgjidhjen e problemeve të zjarrfikësve.

“Nuk kemi pasur bisedime me qeverinë, jemi duke pritur formimin e qeverisë kushdo që vjen duhet ti zgjidh problemet e zjarrfikësve”, potencoi Beka.

Gashi nga SPAK-u: Heshtja e Qeverisë ndaj sindikatave tregon mungesë përkushtimi për punëtorët publikë

Ali Gashi, nga Sindikata e Pavarur e Administratës është deklaruar për “Front Online” lidhur me rrezikun që buxheti i shtetit të mos miratohet me kohë për shkak të bllokadave politike dhe mungesës së institucioneve të reja.

Ai e cilësoi situatën si pasojë të “papërgjegjësisë institucionale dhe mungesës së vullnetit politik”.

“SPAK-u shpreh shqetësimin e thellë lidhur me rrezikun real që buxheti i shtetit të mos miratohet me kohë, për shkak të bllokadave politike dhe vonesave të ndodhura në konstituimin e Kuvendit. Ne konsiderojmë se kjo situatë është pasojë direkte e papërgjegjësisë institucionale dhe mungesës së vullnetit politik për të garantuar funksionimin normal të shtetit”, tha Gashi.

Gashi ka paralajmëruar pasoja të rënda nëse sektori publik mbetet pa paga pas janarit.

“Nëse nga janari sektori publik mbetet pa paga, pasojat do të jenë të rënda dhe të papranueshme. Janë mijëra punonjës të administratës që mbajnë familjet e tyre me ato paga, dhe mungesa e çdo sigurie për ta përbën një akt të pafalshëm neglizhence ndaj qytetarëve që i shërbejnë shtetit çdo ditë”, thotë Gashi.

Ai kritikoi Qeverinë për mungesë transparence dhe komunikimi me sindikatat, duke kërkuar urgjentisht një plan konkret.

“Kjo heshtje e Qeverisë është dëshmi e mungesës së përkushtimit për të mbrojtur interesin e punëtorëve të sektorit publik. SPAK-u kërkon me urgjencë që Qeveria të dalë me një qëndrim të qartë dhe të propozojë masa konkrete për të siguruar që pagat të mos ndërpriten në asnjë rrethanë”, shprehet ai./FrontOnline