Rrëfehet për gjithçka vajza e Ancelottit: Ai ka qenë baba dhe nënë njëkohësisht…

Vajza e ish-trajnerit të Real Madridit foli për marrëdhënien me të atin, “një njeri i qetë”, që “nuk dëshiron kurrë t’i mërzisë të tjerët”.

Çfarë dhurate do t’i kërkonit babait tuaj?
Do të doja ta shihja të zemëruar, qoftë edhe një herë. Në fushë dhe në dhomat e zhveshjes, thonë se i ndodh. Vëllai im Davide dhe burri im, Mino, tregojnë se ka shpërthime të forta, por unë s’e kam parë kurrë ashtu. Ai është tepër i qetë, shmang konfliktet, por ndonjëherë duhet të marrësh qëndrim, edhe kur nuk iu pëlqen të gjithëve.

A i ka sqaruar gjërat me Gattuson?
Jo, nuk janë parë më dhe as kanë folur. Babai mbeti i lënduar. Rino nuk e mori kurrë në telefon. Ndoshta do të takohen në Botëror. Do të ishte bukur një finale Brazil–Itali, si ajo e vitit 1994. Asokohe babai ishte ndihmës i Sacchi, ku ishte Gattuso atëherë?

Si reagoi kur u ofendua në Napoli dhe Torino?
Nuk i dha rëndësi, nuk i lexon rrjetet sociale. Në Napoli thonin se kishte shkuar “të merrte pensionin”, kjo më lëndoi mua, jo atë. Atij i dhemb vetëm kur nuk arrin ta bëjë mirë punën.

Çfarë kujtoni nga fëmijëria?
Më zinte gjumi në prehërin e tij, ndihesha e mbrojtur. Pastaj më vendoste në shtrat me kujdes që të mos më zgjonte. Ishte baba dhe nënë në të njëjtën kohë, sepse mamaja, që tani nuk jeton më, ishte gjithmonë larg. Ajo luante futboll e më pas softboll (softball), një grua plot interesa. Nuk ishte mamaja tipike në kuzhinë. Nuk kam kujtime të Krishtlindjeve familjare, i kalonim në Milanello, një familje e mrekullueshme.

Kur u ndanë prindërit?
Unë isha në Londër. Ata ndërtuan shumë bashkë, por ndarja ishte e pashmangshme. Të dy e rindërtuan jetën e tyre, por mamaja vdiq shpejt, gjatë pandemisë. Nuk munda ta shihja për herë të fundit, kjo më dhemb ende. Do ta admiroj gjithmonë për forcën dhe pavarësinë e saj.

A është i rëndë mbiemri Ancelotti?
Jo për mua, por për Davide po. Ai mori shumë kritika sepse stërviste me babain. Tani është trajner i Botafogo në Brazil. Më bezdis që flasin vetëm për të dhe jo për fëmijët e trajnerëve të tjerë, si Pioli.

Po ju vetë?
Kam mësuar t’i zgjedh miqtë. Të vërtetët janë ata të vjetrit, që nuk kërkojnë fanella apo bileta. Nëse ndiej interes, e ndërpres menjëherë marrëdhënien.

Jeni diplomuar në komunikim, pasionante për muzikën, ke marrë pjesë dikur në “Amici”, ndërsa sot drejton markën tënde të veshjeve sportive. Ke edhe tre fëmijë…
Jam një grua normale, që bën gjithçka si të tjerat. Shpresoj të jem një nënë e mirë. Carlo më thotë shpesh se jam nënë e mrekullueshme.

A kishe ëndrra të tjera?
Doja të bëhesha gazetare ose psikologe, por shpesh duhej të përtypja fjalët para gazetarëve, kështu që hoqa dorë. Kritikat pranohen, fyerjet jo.

Ju jetoni në Madrid që nga ndarja e Carlo me Real Madridin…

Është qytet ndërkombëtar, ideal për stabilitetin e fëmijëve. Italia është gjithmonë shtëpia ime.

A ka ndryshuar futbolli?
Është bërë biznes i madh, por në thelb është i njëjti. Magjia mbetet te pasioni i tifozëve dhe emocionet që jep loja.

Babai juaj tani punon në Brazil?
Ai thotë se ndihet sikur është kthyer në kohë, si kur ishte lojtar. Lojtarët atje e ndiejnë forcën e rrënjëve, mezi presin të stërviten e të jenë bashkë. Nuk janë me celular gjithë kohës, kjo i pëlqen shumë babait. Në thelb, ai është një njeri i thjeshtë.

A ka ndryshuar Carlo, trajneri më i suksesshëm në Europë?
Aspak. Si njeri është po ai, ha gjithçka, vishet thjeshtë, e nget keq makinën dhe nuk më dëgjon shumë. Kjo e fundit është ajo që më bezdis më shumë.

A është i lumtur dhe i dashuruar?
Po, është shumë i dashuruar me Mariann, gruan e dytë. Kur i pashë bashkë mendova: dashuria në të 50-at është gjë e mrekullueshme. Pas 20 vitesh janë ende njësoj.

A është Carlo i suksesshëm apo me fat?
Me fat, po, por kjo nuk është rastësi. Fati duhet merituar.

A shkoni ende në “Bernabéu”?
Po, sa herë që mundem. Ndjek edhe Botafogon e vëllait, por pasioni im i vërtetë mbetet Milani. Atje ka shkuar Modric, që duket si djalosh i ri në moshën 40-vjeçare. Një njeri i madh.

 

The post Rrëfehet për gjithçka vajza e Ancelottit: Ai ka qenë baba dhe nënë njëkohësisht… appeared first on Telesport.