Liderët e Bashkimit Evropian (BE) mbrëmë ranë dakord të ndihmojnë në përmbushjen e nevojave financiare të Ukrainës për dy vitet e ardhshme, por nuk miratuan shpërndarjen e 140 miliardë eurove të parave të gatshme ruse të ngrira për të ndihmuar në financimin e mbrojtjes së vendit.
Vendimi për përdorimin e këtyre fondeve ruse u shty për në muajin dhjetor, pasi shqetësime shprehu Belgjika.
Ky veprim i diskutueshëm do të ishte një shtesë ndaj sanksioneve që blloku i ka vendosur Rusisë, të cilat synojnë të godasin të ardhurat e Kremlinit nga nafta, raporton bbc
Takimi në Bruksel u mbajt në prag të një samiti në Londër, ku kryeministri britanik, Keir Starmer do t’u bëjë thirrje liderëve evropianë të rrisin furnizimet me raketa me rreze të gjatë veprimi për Kievin.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të marrë pjesë në takimin e ashtuquajtur të “koalicionit të vullnetarëve”, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Ministrat evropianë u takuan të enjten në Bruksel për të diskutuar mënyrat se si miliarda euro nga fondet e ngrira ruse mund t’i vihen në dispozicion Ukrainës si i ashtuquajturi “kredit për reparacione”.
Shumë qeveri të BE-së kishin shpresuar që liderët do ta mbështesnin planin dhe do t’i kërkonin Komisionit Evropian, organit ekzekutiv të BE-së, të përgatiste një propozim ligjor zyrtar në javët e ardhshme.
Por teksti përfundimtar, i miratuar pas negociatave maratonike, nuk i dha dritën jeshile planit.
Në vend të kësaj, Komisionit iu kërkua të paraqesë “opsione për mbështetje financiare bazuar në vlerësimin e nevojave financiare të Ukrainës”.
Qëllimi tani është që liderët e BE-së të arrijnë një marrëveshje në muajin dhjetor.










