Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe lideri i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë (PLDM), Nenad Rashiq, ka folur për pritjet lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e tij në këtë post.
Rashiq tha se mundësitë janë të barabarta që Gjykata ta lërë në fuqi apo ta rrëzojë vendimin e Kuvendit.
“Gjasat janë 50-50 që Gjykata Kushtetuese ta rrëzojë votimin tim si nënkryetar. Nuk mund të them me siguri, por është e mundshme që vendimi të shkojë në cilëndo anë”, deklaroi Rashiq.
Ai theksoi se vendimi për ta votuar atë nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë “një veprim i pjekur institucional” dhe vlerësoi se nuk ka pasur shkelje të Kushtetutës në këtë proces.
“Kushtetuta nuk shkelet në asnjë element. Nëse Gjykata e sheh çështjen vetëm përmes Kushtetutës, aty nuk ka asnjë shkelje. Ndërsa nëse hyn në interpretimin e Rregullores së Kuvendit, mund të ketë një debat tjetër”, tha ai.
Sipas Rashiqit, gjithçka do të varet nga mënyra se si Gjykata Kushtetuese do ta interpretojë nenin që përcakton se “partia me më së shumti deputetë propozon nënkryetarin e Kuvendit”.
“Në këtë rast, vendimi mund të jetë dyanshëm, por unë kam bindjen se zgjedhja ime është bërë në procedurë të rregullt dhe në përputhje me Kushtetutën”, shtoi ai.
Rashiq ka theksuar se nuk pret ndonjë masë administrative ndaj tij në këtë fazë, por se mbetet i përgatitur për çdo vendim që mund të marrë Gjykata Kushtetuese.










