Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer trupa të ushtarëve të rënë, në kuadër të marrëveshjeve të Stambollit, konfirmuan sot zyrtarë nga të dy vendet.
Deputeti i Dumës Shtetërore të Rusisë, Shamsail Saraliev, tha se Rusia ka marrë mbetjet e 31 ushtarëve nga Ukraina si pjesë e shkëmbimit.
“U zhvillua një shkëmbim 31 me 1.000. 31 trupa të të vrarëve u kthyen në Rusi”, tha Saraliev.
Ndërkohë, Shtabi i Koordinimit i Ukrainës për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës njoftoi se Rusia i ka kthyer 1.000 trupa Ukrainës, që, sipas palës ruse, u përkasin ushtarëve ukrainas.
Sipas njoftimit, hetues nga organet e rendit dhe institucionet eksperte të Ministrisë së Brendshme do të kryejnë ekzaminimet dhe procedurat e identifikimit për trupat e riatdhesuar.
Shtabi i Koordinimit shprehu mirënjohje ndaj Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për ndihmën e dhënë dhe falënderoi posaçërisht shërbimin ushtarak mjekësor për organizimin e transportit dhe dorëzimin e mbetjeve tek autoritetet mjeko-ligjore dhe hetuese.