Heqja e sanksioneve e lidhur me kthimin e serbëve në komunat veriore, BE në pritje të ‘tranzicionit të pushtetit’

BE është në pritje të tranzicionit të pushtetit në komunat veriore të Kosovës të udhëhequra me kryetarë shqiptarë legalë por jolegjitimë që të nis heqja e sanksioneve të vendosura në qershorin e 2023’ës.

Këto janë indikacionet e dhëna nga Bashkimi Evropian për mediat në Kosovë pas zhvillimit të zgjedhjeve lokale edhe në veri ku serbët morë pjesë dhe i çvotuan kryetarë shqiptarë që udhëhiqnin komunat me 3% të votës së popullatës lokale.

RTK-së dhe Kohës Ditore, nga BE i kan thënë se zgjedhjet lokale (në veri) të mbajtura paqësisht do të trajtohen në dritën e heqjes së sanksioneve – por, jo edhe para se të ndodhë “bartja e pushtetit”.

“Presidentja Von der Leyen ka pasur diskutime konstruktive me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti gjatë turneut të saj në Ballkanin Perëndimor. Ajo ishte e inkurajuar me raundin e parë të zgjedhjeve lokale paqësore, konkurruese dhe inkluzive, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve. Ky është një sinjal i rëndësishëm për depërshkallëzim në veri i cili do të konsiderohet në kontekstin e heqjes së mëtejme të masave…Ne presim që raundi i dytë i zgjedhjeve të zhvillohet në mënyrën e njëjtë dhe i gëzohemi një tranzicioni të rregullt të qeverisjes lokale “, ka thënë një zëdhënës i BE-së.

Çështja e pjesëmarrjes së partive politike serbe në zgjedhjet lokale është trajtuar intenzivisht, deri edhe në dënime bilaterale të Kosovës nga ShBA me “Dialogun Strategjik”; dhe poashtu nga BE-ja se pjesëmarrja e partive politike do të jetë test i marrëdhënieve të ardhshme Kosovë – BE.

Dialogu Strategjik nga ShBA u pezullua “krjetësisht bazuar në veprimet e Albin Kurtit”, thanë nga Departamenti i Shtetit, dhe kjo, si pasojë “kalimit të vijës së kuqe…me ndalimin e Listës Serbe”.

Ambasada e ShBA-së që prej dy muajsh më parë ishte bërë mëse e gjallë për t’i dhënë jehonë asaj që ata e dinin për “përpjekje për të bllokuar partitë serbe për pjesëmarrje në zgjedhje lokale” dhe Annu Prattipati në një intervistë dhënë në “Gazetën Express” kishte cituar hiç më pak se autoritetin e fjalëve të J.D Vance, të një fjalimi të tij në Mynih që kishte shkundur debatin publik në Gjermani, që as një parti ekstremiste si “AfD”-ja nuk duhej të ndalohej, dhe kjo si themeltari e demokracisë, sipas saj.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursual von der Leyen, në vizitën e saj të fundit në Kosovë nuk ka dhënë ndonjë indikacion për heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës.

Në mesazhet që ka dhënë pas takimit me liderët shtetërorë, ajo fare nuk ka përmendur çështjen e masave ndëshkuese që i janë vendosur Kosovës në qershor të vitit 2023. As presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk kanë treguar nëse zyrtarja e lartë evropiane ka shprehur ndonëj gatishmëri për heqjen e sanksioneve.

Presidentja e Komisionit Evropian vetëm ka bërë me dije Kosova duhet të ulë tensionet dhe të ndërtojë institucione të sigurta.

“Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë ndërtimin e institucioneve të sigurta. Të depërshkallëzojë tensionet në shtet. Dhe po ashtu, Kosova duhet t’i finalizojë hapat e domosdoshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes”, ka shkruar ajo.