Hulumtim: 40% e kosovarëve thonë se e kanë jetën më të keqe se më parë

Një hulumtim i fundit i “Valicon” me titull “New Normal Study”, i kryer gjatë periudhës 18-21 gusht 2025 në shtete të rajonit të Adriatikut, përfshirë edhe Kosovën, nxjerr në pah se inflacioni dhe pasiguria politike janë dy shqetësimet kryesore për qytetarët kosovarë. Në anketë, gjithashtu është bërë e ditur se 40% e kosovarëve kanë thënë se jeta e tyre është më e keqe sot sesa më herët.

Sipas rezultateve, 70% e kosovarëve janë të shqetësuar për rritjen e kostos së jetesës, duke e bërë inflacionin një nga çështjet më të ngutshme ekonomike në vend. Një shqetësim i madh është edhe stabiliteti politik, me 54% të pjesëmarrësve në Kosovë që e konsiderojnë këtë një problem serioz, duke ndjekur trendet rajonale ku shqetësimet politike janë gjithashtu të larta në vende si Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Në anën tjetër, shqetësimi për vlerën e pronës është relativisht më i ulët në Kosovë, me vetëm 26% të të anketuarve që e konsiderojnë këtë çështje shqetësuese.

Sjelljet e kujdesshme të konsumatorëve në kohë sfidash ekonomike

Shqetësimet financiare kanë sjellë ndryshime të dukshme në mënyrën e konsumit, sipas hulumtimit. Konsumatorët në Kosovë po i përkushtohen më shumë blerjeve në dyqane me çmime më të lira, ku 68% preferojnë të bëjnë blerje në këto vende, duke u përpjekur të menaxhojnë më mirë buxhetin e tyre familjar.

Gjithashtu, blerjet gjatë promocioneve janë një tjetër strategji e përdorur nga 65% e konsumatorëve në Kosovë, për të kursyer në shpenzime. Një përqindje e lartë e qytetarëve po anulojnë shpenzimet për produkte e shërbime që nuk i konsiderojnë të domosdoshme, duke reflektuar një mentalitet më kursimtar dhe të matur. Në blerjet në dyqanet e lira, prin kroatët me 70%.

Rënie e nivelit të kursimeve dhe cilësisë së jetë

Hulumtimi evidenton gjithashtu ulje të ndjeshme të kursimit të parave në Kosovë, ku vetëm 20% e qytetarëve arrijnë të ruajnë të njëjtat nivele kursimesh si më parë. Ky trend pasqyrohet edhe në vendet e tjera të rajonit.

Sa i përket cilësisë së jetës, shumica e kosovarëve besojnë se ajo ka rënë që nga viti 2020, me 40% që e vlerësojnë jetën e tyre sot si më të keqe se më parë. Megjithatë, një pjesë prej 34% shprehin optimizëm dhe mendojnë se cilësia e jetës është përmirësuar në këtë periudhë.

Hulumtimi i “Valicon” tregon se në një kohë kur inflacioni dhe pasiguria politike vazhdojnë të ndikojnë ndjeshëm jetën e qytetarëve kosovarë, mënyrat e tyre të konsumit janë bërë më të kujdesshme dhe strategjike. Kjo reflekton një realitet ekonomik dhe politik që po përballet me sfida të mëdha, duke ndikuar jo vetëm në financat familjare, por edhe në perceptimin e përgjithshëm për cilësinë e jetës në vend.