Bashkimi Evropian e ka vlerësuar mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë si një hap pozitiv drejt heqjes së sanksioneve të vendosura që nga viti 2023.
Kjo pas “tranzicionit të rregullt të pushtetit”.
Duke iu referuar vizitës së fundit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Kosovë, një zëdhënës i BE-së tha se ajo është inkurajuar nga “raundi i parë paqësor, konkurrues dhe gjithëpërfshirës i zgjedhjeve lokale, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve”.
“Ky ishte një sinjal i rëndësishëm i deeskalimit në veri, që do të merret në konsideratë në kontekstin e heqjes së mëtejshme të masave,” konfirmoi zëdhënësi i BE-së në një përgjigje me shkrim për RTK-n.
Gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë, von der Leyen zhvilloi diskutime konstruktive me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Sipas BE-së, pritet që raundi i dytë i zgjedhjeve lokale të mbahet në të njëjtin frymë demokratike dhe të pasohet nga një tranzicion i rregullt i qeverisjes lokale.