Ndryshojnë kualifikueset e Botërorit dhe Europianit, flet Ceferin: Grup unik si në Champions

UEFA po shqyrton ndryshimin e formatit të kualifikueseve për Kupën e Botës dhe Kampionatin Europian, me synimin për t’i bërë ato më interesante. Një nga opsionet është krijimi i një sistemi të ngjashëm me modelin e ri të Champions League, ku një algoritëm do të përcaktonte kundërshtarët e çdo kombëtareje dhe në fund do të kishte një klasifikim të përbashkët.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, tha për “Bild”: “Nuk besoj se formati i vetë Europianit do të ndryshojë, por i ndeshjeve kualifikuese. Nuk do të ketë më shumë ndeshje, por format më interesant. Po e mendojmë seriozisht këtë”.

Sipas “Bild”, propozimi është bërë nga një përfaqësues anglez në një takim në Malaga dhe mund të hyjë në fuqi që nga viti 2028, pra pas Europianit të ardhshëm, duke u zbatuar për kualifikimet e Botërorit 2030. Komisioni i UEFA-s për kombëtaret po analizon opsionet dhe do t’ia paraqesë më 3 dhjetor komitetit ekzekutiv.

 

The post Ndryshojnë kualifikueset e Botërorit dhe Europianit, flet Ceferin: Grup unik si në Champions appeared first on Telesport.