Kosova shpreh gatishmëri të strehojë përkohësisht azilkërkuesit që Britania e Madhe nuk i pranon, duke ofruar mbështetje në këmbim të sigurisë kundër kërcënimeve nga Serbia dhe Rusia.
Kosova është bërë vendi i parë që ka shprehur gatishmëri për strehimin e përkohshëm të azilkërkuesve të refuzuar nga Britania e Madhe. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të mërkurën se “dëshiron të ndihmojë” qeverinë britanike në luftën kundër migracionit të paligjshëm, në këmbim të mbështetjes për sigurinë kombëtare të Kosovës përballë kërcënimeve që kryesisht vijnë nga Serbia dhe Rusia.
Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja-Hercegovina kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit për stacionet e kthimit, ndërsa interesi i Britanisë së Madhe për Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut ka qenë minimal – dy vende që prej fillimit nuk kanë treguar gatishmëri për të marrë përsipër menaxhimin e flukseve të migracionit të paligjshëm.
Megjithatë, përderisa qeveria britanike e kryeministrit Sir Keir Starmer synon ta çojë përpara këtë plan, shërbimet britanike të inteligjencës – MI6, kanë shprehur drojë për rrezikun e infiltrimit të spiunëve rusë në qendrat e planifikuara të migrantëve.
Në një raport të sigurisë është theksuar se ngritja e infrastrukturës së ndjeshme në një zonë që për shumë vende është “sferë e ndikimit rus” në Evropë bart rrezikun e ndërhyrjes nga Rusia. Kremlini, në fakt, përdor migracionin si mjet për destabilizim, duke e shfrytëzuar për operacione keqdashëse të ndikimit dhe propagandës.
Serbia është përmendur si vendi kryesor, duke pasur parasysh faktin që qytetarët rusë mund të hyjnë e dalin lirisht në territorin serb. E raportet për armë dhe logjistikë ruse që kalojnë përmes Serbisë rrisin më tej drojën e shërbimeve britanike të sigurisë.
Agjentë të Rusisë janë duke këshilluar migrantët se si të shmangin deportimin nga Britania e Madhe dhe vendet e tjera evropiane, ka deklaruar nga ana tjetër ministri bullgar i Punëve të Brendshme, Daniel Mitov, para samitit të liderëve në kuadër të Procesit të Berlinit në Londër, ku një ndër çështjet kryesore ka qenë migracioni i paligjshëm përmes Ballkanit Perëndimor drejt vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Prishtina, në këtë kontekst, shihet si partner i besueshëm për Londrën – për shkak të orientimit të saj të qartë pro-perëndimor dhe qëndrimit të ashpër ndaj ndikimit rus. Dhe, motivi kryesor i Britanisë së Madhe nuk është financiar, por strategjik, duke qenë se Kosova kërkon të zmbrapsë kërcënimet e Serbisë dhe ndikimin e Rusisë.
Pozita gjeografike e Kosovës përgjatë një prej rrugëve kryesore të migrantëve drejt Evropës Perëndimore e bën vendin e vogël ballkanik një alternativë praktike për vendosjen e qendrave të kthimit – rreth 22.000 migrantë kanë kaluar vetëm vitin e kaluar përmes rrugës së Ballkanit Perëndimor për të hyrë në Bashkimin Evropian.
Ndryshe, një plan për krijimin e qendrave për migrantët në Ballkanin Perëndimor ishte bllokuar pas drojës së MI6. Ky plan ishte pjesë e një strategjie të ish-qeverisë konservatore në vitin 2022, e cila kishte hartuar një listë të shkurtër vendesh ku mund të dërgoheshin migrantët – një skemë e ngjashme me deportimet në Ruandë.