Zyra e kryeministrit të Izraelit ka thënë se një forcë e ardhshme ndërkombëtare stabilizimi në Gaza, nuk do të përfshijë asnjë trupë turke.
Sipas planit të paqes prej 20 pikash të Donald Trump, “partnerët arabë dhe ndërkombëtarë” duhet të zhvillojnë forcën e përkohshme për të siguruar zonat kufitare, për të kontrolluar rrjedhën e mallrave dhe për të trajnuar forcat policore palestineze.
Sky News Arabia raportoi dje, megjithatë, se Benjamin Netanyahu dhe shefi i inteligjencës së Egjiptit, Hassan Rashad, nuk u pajtuan në një takim dje mbi pjesëmarrjen e Turqisë në një forcë të tillë, transmeton Telegrafi
Zyra e Netanyahut i tha sot The Times of Israel se “nuk ka mosmarrëveshje. Nuk do të ketë përfshirje turke”.
Ndërsa Izraeli dhe Turqia mbajnë marrëdhënie diplomatike, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka qenë një kundërshtar i zëshëm i ofensivës së Izraelit në Gaza dhe gjithashtu ka mbështetur vazhdimisht Hamasin në publik.
Deri më tani, Indonezia është i vetmi vend që është zotuar publikisht të kontribuojë me rreth 20,000 trupa, megjithëse Italia ka thënë gjithashtu se do të ishte e përgatitur t’i bashkohej forcës.
Azerbajxhani thuhet se është zotuar privatisht të kontribuojë me trupa.
SHBA-të kanë folur gjithashtu me Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin dhe Katarin në lidhje me forcën.