Auditori i Brendshëm i Komunës së Fushë Kosovës, Shyqeri Krasniqi, ka konfirmuar për Demokracia.com se projektin për projektin e kanalizimit në Sllatinë e Madhe e ka përcjellë për hetim në Prokurorinë Speciale.
Auditori i Komunës ka vendosur ta dërgojë rastin e projektit të kanalizimit në Sllatinë e Madhe në Prokurori për shkak të dyshimeve serioze për keqmenaxhim të fondeve publike dhe shkelje të ligjit të prokurimit. Punimet, të parashikuara për 5,030 metra, janë realizuar vetëm në 190 metra, ndërsa Komuna nuk e ka ndërprerë kontratën dhe nuk ka konfiskuar siguracionin bankar prej 47 mijë euro, edhe pse kompania ka braktisur punimet. Për më tepër, dyshohet se janë kryer pagesa për punë të parealizuara, ndërsa ekspertiza tregon se disa pozicione dhe sasi punimesh janë të fryra.
“Projekti është zbatuar pa dokumentacion teknik të mjaftueshëm, pa projekt kryesor, pa profile gjatësore dhe pa koordinata të terrenit, si dhe me vendosje të gypave DN-1000 për një fshat me vetëm 1,600 banorë, gjë që nuk ka bazë teknike dhe rrit artificialisht koston. Komuna nuk e ka shkëputur kontratën edhe pse punimet janë ndërprerë për më shumë se 15 ditë, gjë që përbën shkelje të qartë të nenit 37 të kontratës. Kjo tregon mosveprim të qëllimshëm ose neglizhencë serioze nga ana e zyrtarëve përgjegjës të prokurimit dhe menaxherëve të kontratës. Komuna nuk e ka konfiskuar siguracionin prej 47 mijë euro, edhe pse kontraktori ka braktisur punimet. Kjo mund të konsiderohet si dëmtim i buxhetit publik dhe mosmbrojtje e interesit të Komunës. Dyshohet se disa pozicione janë fryrë artificialisht, veçanërisht tek gërmimet dhe pusetat. Për shkak se Komuna nuk ka ndjekur procedurat ligjore për shkëputjen e kontratës dhe nuk e ka konfiskuar siguracionin, ekziston rreziku që kontraktori të paraqesë kërkesë për kompensim në gjykatë, duke e kthyer dështimin teknik në rrezik financiar për Komunën”, ka thënë shkurt për Demokracia.com, Shyqeri Krasniqi i cili ka konfirmuar se lenden e ka dërguar në Prokurorinë Speciale për trajtim.
Demokracia.com ka raportuar para disa ditëve se projekti i kanalizimit në Sllatinë e Madhe ka dështuar të përmbushë objektivat e tij bazë, pasi nga 5,030 metra të kontraktuar janë realizuar vetëm 190 metra punime, ndërsa kompania “V-Shala” Sh.p.k. ka braktisur punimet. Demokracia.com ka gjetur se Komuna nuk e ka ndërprerë kontratën, nuk ka konfiskuar siguracionin bankar dhe ka kryer pagesa për punë të parealizuara, duke ngritur dyshime për keqmenaxhim të fondeve publike dhe shkelje të procedurave të prokurimit.
Sipas dokumenteve që ka siguruar Demokracia.com, kanalizimi fekal përfundon duke u derdhur në lumin Drenica, në fshatin Bardh i Vogël, e jo në ndonjë impiant, një veprim që përbën skandal mjedisor dhe rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik. /Demokracia.com/
Lajmi plotë:










