Aktakuzë ndaj pesë personave për marrje ryshfeti

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Prokuroria ka publikuar inicialet e personave të dyshuar: A.B., E.Q., F.S., S.M. dhe V.V.

Sipas aktakuzës, e pandehura A.B., në cilësinë e instruktore në një auto-shkollë në Prishtinë, ka pranuar 200 euro ryshfet nga një kandidate, për t’i mundësuar kalimin e testit praktik të vozitjes.

Ndërsa të pandehurit F.S., E.Q., S.M. dhe V.V., në cilësinë e anëtarëve të Komisionit për licencimin e auto-shkollave, dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat ligjore me qëllim përfitimi material të kundërligjshëm.

Prokuroria njofton gjithashtu se ndaj të pandehurit E.L. është marrë vendim për pushim të pjesshëm të hetimeve, pasi nuk është gjetur dyshim i arsyeshëm për përfshirjen e tij në rast.

Prokuroria Themelore në Prishtinë thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend. /Periskopi/