Balotazhi në Fushë Kosovë, Tërnava i PDK thotë se po bisedon edhe me VV-në edhe LDK-në

Sa më afër datës së 9 nëntorit kur do të mbahet balotazhi për kryetar komunash, gara për Fushë-Kosovën po bëhet më interesante. Tashmë Lëvizja Vetëvendosje në Fushë-Kosovë po synon koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, ndërsa, nga kjo e fundit thonë se po zhvillojnë bisedime edhe me Vetëvendosjen, por edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Fushë-Kosovës, Valon Prebreza shprehet i hapur për bashkëpunim me secilën parti opozitare në këtë komunë me qëllim siç tha ai që të bëhet ndryshimi.

Prebreza për KosovaPress thekson se më 12 tetor qytetarët e Fushë-Kosovës kanë votuar për ndryshim në qeverisjes e kësaj komune.

“Vota qytetare në Fushë-Kosovë ka qenë për ndryshim sepse kemi të bëjmë me 45%  qytetarët kanë vlerësuar se partitë opozitare duhet të qeverisur në Fushë-Kosovë e që i bie si kandidat jam unë me 45-46% deri në certifikim të rezultateve. Kjo votë është ndëshkim për pushtetin aktual. Unë kam deklaruar dhe deklaroj prapë që jam për bashkëpunim me të gjithë ata që kanë qenë kundër këtij pushteti, sepse mendoj që qytetarët neve na kanë vlerësuar dhe besua që të qeverisim ta bëjmë ndryshimin e madh në Fushë-Kosovë”, deklaroi ai.

Valon Prebreza i cili në zgjedhjet lokale të 12 tetorit mori më së shumti vota krahas kundër-kandidatëve, tha se sot eventualisht nesër do të kenë një takim zyrtar me PDK dhe më pas do t’i shohin mundësitë për bashkëpunim.

Ai beson që edhe nëse nuk arrihet koalicion me PDK, vota e kësaj partie në Fushë-Kosovë do të jetë për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Nuk jam duke i ftuar për çështje teknike, për t’u dakorduar, por jam duke i thirrur për çështje parimore sepse duhet të bëhet ndryshimi në Fushë-Kosovë për gjëra teknike pastaj nëse kemi pajtueshmëri në parim janë gjërat teknike  që grupet tjera do të dakordohen…jam duke i pritur po besoj sot ose nesër do të ndodh një takim zyrtar mes neve dhe jam duke i parë se si do të vendosin PDK. Por, një gjë e kam të qartë vota qytetare është për ndryshim.. pavarësisht se cili do të jetë epilogu i diskutimeve me përfaqësuesit politik unë mendoj se vota qytetare, vota e PDK do të jetë votë për ndryshim bazuar në këtë jam i gatshëm  të shtrijmë dorën e bashkëpunimit dhe të ecim tutje bashkë“, theksoi Prebreza.

E, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Fushë-Kosovës, Rrahim Tërnava thotë se aktualisht bisedime për koalicione janë duke i zhvilluar me të dy partitë që janë në balotazh në këtë komunë, Lëvizjen Vetëvendosje dhe LDK-në

Ai thotë se aktualisht nuk ka marrëveshje dhe bisedime konkrete dhe se me këtë aspekt po merret Grupi Punues që është krijuar në kuadër të degës së PDK-së në Fushë-Kosovë.

“Nuk ka marrëveshje dhe as nuk ka bisedime konkrete… bisedime kemi pas edhe me VV-në edhe me LDK-në normal që jemi këndej dhe nuk jemi parti që nuk bisedojmë me partitë politike…. S’kam kushte e kemi bërë një grup punues në kuadër të degës dhe është duke u marr me çështjet teknike është duke biseduar me të dyja palët  unë më pak jam duke u marr e kemi ngarkuar një grup punues me disa këshilltarë që është duke u marr me të dyjat partitë  ata i zgjedhin edhe kushtet”, tha ai.

Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve komuna e Fushë-Kosovës shkon në balotazh. Partitë që do të ballafaqohen më 9 nëntor janë Lëvizja Vetëvendosje e cila në zgjedhjet lokale të 12 tetori mori 45.20%, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës e cila vazhdimisht ka qeverisur me këtë komunë doli e dyta duke marr 36.60% të votave. Deri tani Lëvizja Vetëvendosje ka bërë koalicion me kandidaten e AAK-së për kryetare të Fushë-Kosovës, Vildane Latifi, ndërsa sot Lidhja Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar koalicionin me Nisma Socialdemokrate. Po ashtu të hënën, LDK ka arrit një koalicion me LVV-në për ta mbështetur kandidatin për kryetar Xhafer Tahiri. Në Vushtrri, më 9 nëntor mbahet balotazh në mes të Ferit Idrizi të PDK-së dhe Tahirit të LDK-së.