Ndeshja e Ligës së Kampionëve, të mërkurën mbrëma, vjen në një moment shumë delikat për Juventusin. Një përballje që mund t’i thellojë edhe më shumë vështirësitë e bardhezinjve ose, në të kundërt, t’i japë Tudorit frymëmarrje pas periudhës negative. Në anën tjetër të fushës, me fanellën e Real Madridit do të jetë Dean Huijsen, ish-mbrojtësi i Next Gen të Juves, i cili tani po fiton terren si lider i mbrojtjes së “Los Blancos”.
Në prag të ndeshjes, ka folur babai i Huijsen, duke kujtuar me mall periudhën torineze, por edhe kritikuar ish-drejtorin sportiv Cristiano Giuntoli: “E kujtoj me shumë kënaqësi kohën e Dean te Next Gen, ishte një projekt shumë i bukur, i ndërtuar mirë nga Tognozzi, Cherubini dhe Manna. I vetmi problem ishte drejtori (Giuntoli), që i shiti të gjithë talentet para se ata të kishin mundësinë të shfaqeshin me fanellën e Juventusit. Mendoj se ky nuk ishte qëllimi fillestar i projektit”.
I pyetur nëse me drejtuesit e rinj dhe trajnerin aktual, Dean do të ishte ende lojtar i Juventusit, ai u përgjigj: “Do t’ju përgjigjem me një pyetje: a do ta kishte shitur drejtuesi i re Dean për 15 milionë euro? Pastaj, varet edhe nga trajneri, cilin lojtar do të kishte preferuar ai. Nuk më takon mua të gjykoj për këtë”.
The post Babai i Huijsen flet hapur: Dean dhe talente të tjera të Juventusit u larguan nga ky drejtor appeared first on Telesport.