“BayArena” ndriçohet përsëri për Ligën e Kampionëve. Sot, kampionët në fuqi të PSG do të luajnë ndaj Bayer Leverkusen. Skuadra e Luis Enrique është aktualisht e pamposhtur në kampionat, me vetëm Olympique Marseille që arrin t’i mundë ata në kampionat.
Në prag të ndeshjes, trajneri i “aspirinave”, Kasper Hjulmand, foli rreth zhvillimit pozitiv të ekipit të tij dhe cilësive të shkëlqyera të PSG: “PSG është ndoshta ekipi më i mirë në botë. Këtë vit kalendarik, ata kanë fituar pesë trofe. Ne kemi respekt të madh për ta dhe do të jetë një sfidë e vështirë”.
“Por, jemi gjithashtu të lumtur, sepse të luash në Champions League është gjithmonë e veçantë. Ne do të luajmë në shtëpi dhe absolutisht duam të shfaqim cilësitë tona. Do të japim gjithçka për të fituar”, tha Hjulmand, trajneri i Leverkusen.
Trajneri danez shtoi më pas për kundërshtarët e tyre: “PSG është një ekip me cilësi të jashtëzakonshme në çdo pozicion dhe në çdo fazë të lojës. Ata ndërtojnë mirë nga mbrojtja, luajnë drejtpërdrejt dhe shpejt, janë të fortë në situata një-me-një dhe shumë agresivë në presing. Kjo është forca e tyre”.
Leverkusen është ende i pamposhtur në shtatë ndeshje, që kur Hjulmand mori drejtimin: “Jemi të sigurt në lojën tonë dhe mendoj se do të kemi shanset tona . Jemi në rrugën e duhur. Ekipi ka nevojë për ndeshje dhe kohë për të gjetur mirëkuptim. Po bëjmë përparim të mirë. Pas çdo ndeshjeje analizoj atë që kemi mësuar dhe çfarë duhet të përmirësojmë. I shoh qartë mundësitë dhe potencialin e këtij ekipi.”
The post Trajneri i “aspirinave”, ende i pamposhtur, mesazh PSG: Do t’i bëjmë me dhimbje koke appeared first on Telesport.