Pasi e humbi thellë garën në Vushtrri, duke e dërguar LDK-në në vendin e tretë dhe duke bërë marrëveshje pa miratimin e partisë për të mbështetur Vetëvendosjen në balotazh, Xhafer Tahiri ka gjetur sot një përkrahje të re, në Presidencë, shkruan Demokracia.com.
Amir Haradinaj, shefi i prokurimit të Presidencës, Vjosa Osmani, ka publikuar një fotografi me Tahirin, të shoqëruar me vargje poetike që flasin për “qëndrueshmëri” e “zemër të fortë”:
“Veç nji qëllim i naltë t’ban me durue,
E zemrën ta forcon;
Ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue,
Mjer’ ai qi nuk qindron! ✌️”
Nuk dihet nëse Haradinaj ka dashur ta lavdërojë “qëndrueshmërinë” e tij pas humbjes, apo kokëfortësinë për të vepruar jashtë vullnetit të partisë që e kandidoi. Por fotografia e sotme e bën të qartë se Xhafer Tahiri tashmë po e kërkon rikthimin politik në krah të atyre që dikur e braktisën LDK-në.
Ironikisht, në të njëjtën kohë, Tahiri shihet në shoqëri të njerëzve të lidhur me tenderë publikë, një rreth që i përshtatet më shumë një biznesmeni të pas-zgjedhjeve sesa një politikani. /Demokracia.com/