Pas vizitës së Kurtit, KEK “kujtohet” ta publikojë kontratën me negocim për punët shtesë në Bllokun B2

Vetëm rreth dhjetë ditë pasi kryeministri Albin Kurti vizitoi Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) për të dhënë lajmin se ishte rikthyer me sukses në punë Blloku B2 i termocentralit “Kosova B” – i modernizuar dhe me kapacitete shtesë të prodhimit, KEK-u publikoi një njoftim për dhënien e një kontrate shtesë për kompaninë GE STEAM POWER, shkruan Demokracia.com.

Kontrata, e quajtur “Punët dhe materialet shtesë në turbinën B2”, është nënshkruar me GE STEAM POWER FRANCE BRANCH IN KOSOVO, me negocim në vlerë prej 1,461,581.91 euro.

Ndonëse njoftimi për dhënien e kontratës u publikua vetëm dje në platformën E-prokurimi, në dokumente shihet se kontrata është lidhur më 22 shtator 2025, ndërsa punimet janë kryer brenda rreth 15 ditësh.

Sipas përshkrimit të kontratës, gjatë fazës së defektazhës së turbinës së presionit të mesëm (TPM) dhe bajpasit të saj në njësinë B2, janë zbuluar “një numër i madh punësh dhe pjesësh shtesë” si pasojë e dëmtimeve të pajisjeve.

“Sanimi i defekteve ka kërkuar kosto shtesë për shkak të angazhimit të stafit të prodhuesit General Electric, sjelljeve në vendpunishte të pajisjeve speciale, si dhe angazhimit të punëtorive të kontraktuesit në lokacione të ndryshme në Evropë”, thuhet në përshkrimin e kontratës.

Por problemi kryesor është se ende nuk dihet saktësisht sa ka kushtuar në total modernizimi dhe rehabilitimi i njësisë B2, pasi KEK-u asnjëherë nuk e ka publikuar në E-prokurim procedurën për kontratën kryesore me GE STEAM POWER.

Shpesh herë, kontratat me këtë kompani janë lidhur përmes procedurës së negocimit, por Demokracia.com nuk ka mundur ta gjejë kontratën fillestare në sistemin zyrtar të prokurimit publik.

Rreth dhjetë ditë më parë, gjatë vizitës në KEK, Kurti deklaroi se modernizimi i njësisë B2 “garanton stabilitet afatgjatë të furnizimit me energji elektrike për gjithë vendin” dhe se kapaciteti prodhues është rritur për 35 megavat orë, duke e cilësuar sistemin si “më efikas, më të qëndrueshëm dhe më të sigurt”.

“Sot po shënojmë përmbylljen me sukses të një prej projekteve më të rëndësishme të KEK-ut që nga ndërtimi. Modernizimi i njësisë prodhuese B2 garanton stabilitetin afatgjatë të furnizimit me energji elektrike për gjithë vendin”, tha Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KEK-ut, Gramoz Hashani, dhe kryetari i bordit të korporatës, Valdrin Krasniqi.

Kryeministri në detyrë shtoi se “projekti ishte planifikuar të zbatohej nga prilli deri në shtator” dhe se kishte përfshirë “ndërhyrje të thella teknike e inxhinierike”.

“Ky është sukses i madh i ekipit të KEK-ut, i mbështetur nga qeveria dhe partnerët teknikë. Kapaciteti prodhues është rritur për 35 megavat orë, pa ndryshime në parametrat bazë të funksionimit”, tha ai.

Në një postim në Facebook, Kurti e quajti projektin “transformues për sistemin energjetik të vendit”.

Megjithatë, të dhënat tregojnë se viteve të fundit shumica e kontratave të KEK-ut të dhëna me procedurë të negociuar pa publikim i janë dhënë dy kompanive: GE Power dhe Alstom Power Services të cilat ofrojnë shërbime për riparim dhe furnizim me pjesë rezervë për pajisjet e termocentraleve të KEK-ut. /Demokracia.com/