Në prag të ndeshjes së Champions League kundër Olympiacos, trajneri i Barcelona, Hansi Flick, foli në një konferencë për shtyp. Ai trajtoi një sërë temash, nga forma e ekipit te emocionet personale, lëndimet dhe vendimet taktike.
“Po përballemi me një ekip me aftësi të shkëlqyera sulmuese“, tha Flick. “Thjesht shikoni përsëri ndeshjen kundër Arsenal për të kuptuar se sa shumë krijojnë raste. Do të duhet të jemi shumë vigjilentë, të qëndrojmë të pozicionuar mirë dhe të bëjmë presion intensivisht”, tha trajneri gjerman.
“Kur humbet distancën, detyrohesh të vraposh shumë dhe kjo të vret në mbrojtje“, u shpreh më tej Flick, që përditësoi gjendjen e Ferran Torres dhe Raphinha: “Shpresojmë t’i kemi përsëri për El Clásico. Ferran ka një problem muskulor dhe aktivizimi i tij tani do të ishte me rrezik“.
Flick foli gjithashtu për zhvillimin e lojtarëve të rinj, si Marc Bernal, duke theksuar nevojën për të menaxhuar ritmin e tyre. “Ai ende duhet të përmirësohet. Marc nuk është gati për ndeshjet e mëdha ende, por do të punojë për të arritur atje“.
Trajneri i klubit “blaugra” më pas ndau një reflektim më personal: “Ndoshta sot tregoj më shumë emocione se sa më parë. Kur isha te Bayern, edhe pas fitores 8-2 kundër Barçës, nuk buzëqeshja. Tani po”.
“Ky klub më ka ndryshuar plotësisht. E dua Barcelonën, e dua qytetin, i dua njerëzit. Jetoj për këtë klub. Kur e shoh veten në televizor, nuk më pëlqen shumë… dhe nuk dua që nipi im të më shohë kështu. Ndoshta duhet ta ndryshoj pak sjelljen time”, tha Flick.
The post Rrëfehet Hansi Flick: Ky klub më ka ndryshuar plotësisht, pas fitores 8-2 ndaj Barça nuk kam qeshur appeared first on Telesport.