VV-ja me dy koalicione për zgjedhje lokale, qetësi absolute për qeverinë: Edhe pesë ditë afat

Edhe pesë ditë kanë mbetur afat që Albin Kurti, i mandatuar për kryeministër ta prezantojë qeverinë e re.

Nëse kjo nuk ndodh deri më 26 tetor, atëherë presidentja duhet t’ia jap mundësinë të dytit. Nëse as ai nuk arrin t’i bëjë numrat, vendi shkon në zgjedhje.

Megjithatë, deri më tash nuk është parë asnjë tentativë të paktën publikisht, që Albin Kurti ta krijojë një shumicë në Kuvend.

Para kësaj, partia e tij po arrin marrëveshje nëpër komuna me partitë të cilat nuk i do për bashkëpunim në qendër.

Në Fushë Kosovë, VV-ja arriti marrëveshje me AAK-në, përderisa në Vushtrri me Xhafer Tahirin e LDK-së.

Prej partive politike, veç Nisma Socialdemokrate ia ka lënë derën hapur Kurtit për bashkëpunim. Të tjerat, deri më tash, kanë refuzuar.

Në anën tjetër, dje presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se duhet të pritet.

Presidentja Vjosa Osmani thotë se ishte e panevojshme nga ana e Listës Serbe që të dërgonte prapë kërkesë në Kushtetuese për pezullim të punës së Kuvendit.

Si totalisht të panevojshme, sepse e dini që ka pasur vonesa të jashtëzakonshme në krijimin e institucioneve dhe besoj që kjo është edhe një tentim tjetër për vonesa, të cilat, siç e dini, e kanë vonuar interesin e Kosovës. Janë bërë shumë muaj pa qeveri që do të kishte mandat të plotë kushtetues. Është në interes të Kosovës që sa më parë, tash pasi që Kuvendi është konstituar në përputhje me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, të kemi qeveri me mandat të plotë. Krijimi i qeverisë varet krejtësisht nga koalicionet e partive politike, unë aty si presidente nuk mund të ndërhyj. Vonesa e krijuar që po tentohet të krijohet nga Lista Serbe i dëmton interesat jo vetëm të Kosovës si shtet, por të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe serbët”, tha ajo.

Osmani u pyet edhe se si do të veprohet, në rast se partia e parë nuk i ka votat për themelimin e Qeverisë.

Për atë çështje, nëse vjen deri në situatë të tillë, kur as partia e parë e as ajo që mund të ketë mundësinë e dytë nuk arrijnë, atëherë janë afatet e caktuara me Kushtetutë, por edhe me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, ka disa aktgjykime me këtë temë. Por pastaj afati që jepet është 30-45 ditë. Këtë datë do ta vendosja në përputhje me interesat e Kosovës dhe pas konsultimit me partitë politike. Unë nuk do të ngutesha që të jap supozime që do të dështojë në krijimin e qeverisë, ka edhe pak kohë”, tha ajo.