“Kemi një marrëveshje pa mandat, një marrëveshje e cila ka qenë e lokalizuar, por që ka tejkalu autorizimet e partisë”, ka thënë nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, për marrëveshjen që nënshkroi Xhafer Tahiri, në emër të degës së LDK-së në Vushtrri, me kandidatin e VV-së për Kryetar të Vushtrrisë, Sylejman Meholli, për balotazhin e 9 nëntorit kundër Ferit Idrizit të PDK-së.
“Gjithçka do të zbardhet me kohë, por e mbajmë si rast të izoluar faktikisht”, tha Haziri në një prononcim për VOX Kosova.
Ai theksoi se në LDK funksionon demokracia, por autonomia e degëve të partisë duhet të jetë në koordinim me udhëheqësinë e LDK-së.
“Nuk ka të bëjë me asnjë lloj aprovimi, ka të bëjë me reagim të zbardhun, është eksplicit reagimi, muj me thanë drejtë, por kjo është çështje që kalon në një proces. Natyrisht se ne jemi një parti që brenda ka debat, ka mekanizma që funksionon demokracia e brendshme, por që autonomia e degëve, qoftë ajo në autorizime, qoftë në veprime koordinohet në plotni me lidershipin e LDK-së, edhe me liderin e partisë”, shtoi.
“Këtu nuk ka pas koordinim të plotë dhe deklarata e nënvizon që aktivitizimi i mekanizmave statutor do të ndodhin në një periudhë pas balotazhit, sepse krejt energjitë, edhe krejt angazhimet kanë të bëjnë tash me ndërtimin e angazhimeve të përbashkëta m’u përballu nëntë komunat në të cilat ne jemi në balotazh. Kjo është prioritet kryesor, por reagimet në Vushtrri u panë, edhe reagimet strukturore edhe të njerëzve, edhe të bartësve politikë atje”.