Po forcohet trajektorja ruse në Ballkanin Perëndimor? – flet Prenkaj

Diplomati i karrierës, Albert Prenkaj, ka komentuar zhvillimet aktuale politike në Ballkanin Perëndimor, lidhur me forcimin e koalicionit VMRO-DMNE-VLEN në Maqedoninë e Veriut.

Ai në një qëndrim të tij për klankosova.tv, thekson se ky bashkëpunim, në lidhje me afërsinë e mundshme mes Kurtit dhe Mickoskit, rrezikon margjinalizimin e faktorit shqiptar.

”Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut janë tregues i forcimit të koalicionit në pushtet VMRO-DMNE, VLEN. Nisur nga programi qeverisës i kryeministrit Mickoski i cili që në filizë ka kundërshtuar Marrëveshjen e Ohrit si dhe atë të Prespës, që kundërshtojnë dhe eliminojnë të drejtat politike dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve në qeverisje, përafrimi me qeverisjen Vuçiq janë tregues i fillimit të prishjes së përmbajtjes shtetërore atje”.

”Për më tepër, shmangja gjithnjë e më e qartë nga sistemi i vlerave perëndimore është tregues i qartë i forcimit të një diagonale strategjike jo perëndimore. Betonimi i koalicionit VMRO-VLEN në Maqedoninë e Veriut do të provoj të hedhet me tërë arsenalin njerëzorë dhe financiar në Kosovë gjatë balotazhit në zgjedhjet komunale”.

”Bashkëpunimi VMRO-VLEN me VV-në në Kosovë na shpien te ekuacioni me determinanten jo-perëndimore. Një aks i ri në Ballkanin Perëndimorë që rrezikon hartën politike të Evropës së shekullit XXI në të cilën trungu politik shqiptarë në Rajon lehtësisht mund të shndërrohet në objekt dhe jo subjekt trajtimi. Një margjinalizim dhe delegjitimim i heshtur i faktorit politik shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, bashkëpunimi Kurti-Mickoski dhe Mickoski-Vuçiq krijojnë një trajektore strategjike e cila mund të jetë në shërbim të gjeopotitikave inverze me atë Euro-Atlantike”.