“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet financiare të paauditura të partive politike për vitin 2025, shkruan Demokracia.com.
Sipas raportit të audituar nga “AlbAudit” për fushatën zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, partia në pushtet ka paguar kompaninë “MOVIOLA L.L.C.” në shumën 29,618 euro për “materiale reklamuese” gjatë fushatës.
Por, MOVIOLA kishte qenë tashmë kontraktuese e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) të udhëhequr nga Donika Gërvalla-Schwarz, me një kontratë të lidhur në fund të vitit 2023 për prodhimin e videove promovuese, me vlerë totale prej 120 mijë euro.
Në dokumentin e auditimit të fushatës, pagesa ndaj MOVIOLA është bërë më 8 shkurt 2025, vetëm një ditë para zgjedhjeve të parakohshme, në mesin e një liste të gjatë operatorësh ekonomikë që kanë ofruar shërbime mediale, grafike dhe reklamuese për Vetëvendosjen.
Kontraktimi i një kompanie që ka marrë punë nga një ministre e Qeverisë, për shërbime më pas të ofruara partisë së njëjtë në pushtet, ngre dyshime të mëdha mbi ndarjen e pushtetit publik nga aktivitetet partiake.
Në kontratën e MPJD-së të vitit 2023, e nënshkruar nga kabineti i Gërvallës, MOVIOLA kishte fituar tenderin për “prodhimin e videove promovuese për diasporën dhe diplomacinë kosovare”, për një çmim për njësi prej 24,900 euro, me vlerë të përgjithshme kontraktuese 120,000 euro.
DOKUMENT | Pas Gani artistit, Gërvalla e çel kuletën edhe me 120 mijë euro për promovim
Në anën tjetër, raporti financiar i Vetëvendosjes për fushatën tregon se partia ka shpenzuar mbi 1.7 milionë euro, prej të cilave mbi 1.18 milionë euro për reklama, reprezentacion e media.
Aty figurojnë edhe kontraktorë të tjerë të institucioneve qendrore, si publike ashtu edhe lokale, siç janë kompanitë “Exfis”, “Ndërmarrja Tregtare Grafike Blendi O.P.”, “MY PRINT Sh.P.K.”, e të tjera. /Demokracia.com/