Gjykimi për Banjskën u mbyll, çka kishte deklaruar dëshmitari i mbrojtur A2 për sulmin e shtatorit 2023?

Dëshmitari A2 me datë 24 shtator 2023, kishet qenë rreth kodrave ndërmjet kufirit Kosovë-Serbi. Në po atë ditë, kur ishte kryer edhe sulmi terrorist në Banjskë.

Dëshmitari kishte treguar në Prokurorinë Speciale se si kishte parë numër të madh të mjeteve e veturave afër Manastirit të Banjskës.

Ky dëshmitar sot ka dalur para Gjykatës Themelore dhe pasi është dëshmitar i mbrojtur, gjykimi është mbyllur.

Nacionale sjell dëshminë që kishte dhënë ky dëshmitar në Prokurori, e që është përshkruar në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

“Dëshmitari A2, i cili ka folur për rastin e sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës më datë 24.09.2023 dhe ka deklaruar se ishte ditë e diel kur rreth orës 09:00 të mëngjesit, ka ecur kodrave të kufirit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe rreth orës 10:00, kishte shkuar në Rogozna, që është 500 metra deri në 1 km larg me kufirin e Kosovës. Aty kishte vënë re shumë automjete, disa pa targa, disa me targa BG, e disa me 500L, Fiat, të cilat automjete i përdorin pjesëtarët e të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”. Tutje, ka deklaruar se ka parë diku rreth 15 meshkuj të trajnuar me uniforma të gjelbra, të lagur, të cilët tashmë kishin mbërritur aty nga Banjska, të cilët kishin marrë pjesë në sulmin terrorist në Banjska, dhe atje priteshin nga gratë e tyre, motrat dhe anëtarët e tjerë të familjes. Po ashtu, ka shtuar se nuk ka dashur të kaloj pranë tyre, në kryqëzim i kishte anashkaluar dhe kishte dalur 200-300 metra deri në kufi, prej andej ishte drejtuar drejt kufirit, 100 metra para tij, ishte ngjitur në një kodër, ku ka parë gjithë kufirin dhe shumë pjesë të territorit të Kosovës. Prej aty ka parë që shumë prej tyre vinin nga Manastiri i Banjskës dhe se në kthim i prisnin dy automjete të zeza të markës Dacia, të cilat po vinin në drejtim të tyre dhe ishin të pista dhe të lagura nga shiu”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për dëshmitarin në fjalë.

Sipas dëshmitarit A2, veturat serbe që po hynin brenda Kosovës kalonin pa asnjë ndalim. Ai kishte treguar se si kishte parë numër të madh të personave me uniforma, në mesin e të cilëve, disa edhe i kishte identifikuar.

“Këto dy vetura normalisht kalonin nga policia serbe pa asnjë kontroll dhe ndalim, lëviznin vazhdimisht deri në dy ose tre herë, duke transferuar anëtarët e atij grupi. Gjithashtu, ka deklaruar se nuk ka mundur të qëndroj aty gjatë për shkak të sigurisë së tij personale dhe ishte kthyer në të njëjtën mënyrë prej nga ka ardhur dhe nga një distancë prej 200-300 metrash, ka bërë disa fotografi. Në rrugën e kthimit nuk ka udhëtuar njësoj, por kishte kaluar mu pranë tyre dhe kishte parë si në kalimin e parë 15 (pesëmbëdhjetë) veta me uniforma, pa armë dhe kishte parë një njeri që e njeh personalisht i cili ishte Danilo Virijevic nga Zubin Potoku, të cilin kur e kishte kaluar, ai e kishte parë por nuk e kishte përshëndetur. Pasi kishte kaluar grupin e parë, pas 200 metrash në territorin e Serbisë, kishte takuar 4 (katër) deri në 5 (pesë) automjete Fiat 500L, pa targa, të njëjtat vetura që kishin qenë në barrikada në Lesak dhe Leposaviq dhe të cilat i përkasin të ashtuquajturës “Mbrojtja civile”. Në të gjitha ato automjete kishte vërejtur se ishin dy-tre persona të uniformuar, me uniforma të njëjta si personat që më vonë ishin parë përmes mediave në Banjskë. Të njëjtat automjete i kishte parë në të njëjtin vend edhe kur ishte kthyer nga kufiri”, thuhet më tutje në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për sulmin terrorist në Banjskë.

Dëshmitari në fjalë kishte arritur t’i identifikojë disa nga pjesëmarrësit, si bashkëpunëtorë të Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq.

“Po ashtu, ka deklaruar se atë pjesë e kishte kaluar për rreth 1 orë e 30 minuta me automjetin e tij sepse e njeh mirë atë terren dhe vendasit. Tutje, ka shtuar se nga 15 (pesëmbëdhjetë) prej tyre që i kishte parë dhe që tashmë kishin kaluar në pikën kufitare në Izvor, shumica ishin me uniformë, nuk kishte vënë re se dikush ishte i plagosur, uniformat e tyre ishin të gjelbra dhe të gjithë kishin kapela gjuetie, si dhe nga 15 (pesëmbëdhjetë) të uniformuarit e kishe njohur një (Danilo Virijevic). Po ashtu, kishte parë edhe dy civilë nga Rashka të cilët ishin aty për të ndihmuar grupin, e që punojnë për Radojçiqin dhe Veselinoviqin, por që nuk ua di emrat. Në pyetjen e prokurorit special se si e njeh personin të quajtur Danilo Virijevic, i njëjti ka deklaruar se e ka njohur që para 5-6 muajsh, sepse shpesh rri pranë fshatit Izvor, ku në afërsi Danilo e ka shtëpinë, po ashtu në mesin e banorëve të Izvorit dhe Rogoznes thuhet se të plagosurve nga Banjska iu është dhënë ndihma e parë mjekësorë në shtëpinë e Danilos, dhe më pas janë transportuar në spitalin e Novi Pazarit”, bëhet e ditur në aktakuzë ndërlidhur me dëshminë e këtij dëshmitari.

Dëshmitari i mbrojtur tregoi se si një pjesëmarrës, Aleksandar Tanaskoviq, kishte mbetur i plagosur rëndë, dhe i njëjti ishte trajtuar në spitalin e Novi Pazarit.

“Tutje, ka shtuar se vetë serbët kanë raportuar në polici se kanë parë persona të uniformuar dhe të armatosur duke lëvizur, me sa e di, policisë nuk i është dhënë asnjë arsye për prezencën e tyre nga vet ata pjesëtar të uniformuar, dhe të njëjtit nga policia kanë kërkuar që të tërhiqen menjëherë. Po ashtu, ka deklaruar se numri i personave të uniformuar që kanë lëvizur nga Kosova në Serbi, ka qenë rreth 25 persona, e ndoshta më shumë, si dhe ka dëgjuar nga vendasit se në sulmin në Banjskë ka marrë pjesë edhe një njeri i quajtur Aleksandar Tanaskovic, i njohur edhe si Aco, i cili është plagosur rëndë në sulmin në Banjskë, dhe nga të njëjtët ka dëgjuar se ka kaluar dy ose tre ditë duke u trajtuar në spitalin e Novi Pazarit dhe siç thuhet dyshohet se ka një plagë në shuplake të dorës, dhe tani dyshon se ndodhet afër vendlindjes në fshatin Vraçevë, komuna e Lesakut, në shtëpinë e dy vëllezërve binjakë, të cilët punojnë në Rashkë”, thuhet në aktakuzë.

Dëshmitari e kishte pranuar në dëshminë e tij se pas këtij grupi terrorist qëndron Milan Radoiçiq. Sipas tij, qëllimi i sulmet ishte tensionimi i situatës dhe acarimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Gjithashtu, ka shtuar se dihet mirë se pas këtij grupi qëndron Milan Radojcic, pasi që publikisht e ka marrë atë përgjegjësi si dhe beson se ai grup është furnizuar me armatim dhe pajisje personalisht nga Serbia, nga duart e privatëve, sepse armët blihen lehtë në Serbi, 200-300 euro mund të blesh një kallashnikov. Në pyetjen e prokurorit special se a keni njohuri se cili ka qenë qëllimi i këtij sulmi? A ka qenë për aneksimin e pjesës veriore nga Republika e Kosovës apo me qëllim të shkaktimit të frikës, pasigurisë ndaj qytetareve apo sulmit ndaj personave zyrtare, i njëjti ka deklaruar se qëllimi ka qenë që të kryhet një sulm, i cili si pasojë do të kishte frikësimin e qytetarëve, tensionimin e situatës politike, acarimin e raporteve politike mes dy shteteve Serbi – Kosovë, si dhe sulmimin e institucioneve në këtë rast Policinë e Kosovës ashtu edhe siç ka ndodhur, pasi qe të njëjtat fjalë dëgjohen në Leposaviq dhe Novi Pazar. Krejt kjo ka qenë e planifikuar nga Milan Radoićić dhe grupi i tij të cilin e ka udhëhequr. Në fund ka shtuar se ky grup funksionon me pak se një vit para sulmit dhe të gjithë personat që punojnë në Ushtrinë e Serbisë nga Leshaku, Leposaviqi dhe Mitrovica, kanë marrë pjesë në aksionin apo sulmin në Banjskë, ndërsa tani 99% e tyre janë duke qëndruar në Kopaonik, kurse kreu i grupit Milan Radojcic me sa ka dëgjuar në Novi Pazar, i njëjti ka ikur ne Rusi”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.