Trajneri Pep Guardiola beson se Manchester City po lëviz në drejtimin e duhur këtë sezon. Gjithsesi, ai beson se ata kanë ende shumë punë për të bërë për t’u rikthyer te fitoret pas një sezoni në të cilin nuk arritën të fitonin asnjë trofe të vetëm.
“Jemi shumë më mirë se vitin e kaluar dhe po rritemi ndeshje pas ndeshjeje, por ka shumë gjëra për t’u përmirësuar dhe puna është larg përfundimit“, u shpreh trajneri spanjoll pas fitores që “citizens” arritën ndaj Everton në Premier League.
Manchester City është aktualisht në vendin e dytë, tre pikë pas Arsenal. Ekipi ka përfituar nga performancat e Erling Haaland, i cili ka shënuar 11 gola në Premier League dhe tre në Ligën e Kampionëve, ndaj Guardiola i thur lavde.
“Ai ndihet vërtet mirë, niveli i tij i performancës dhe jo vetëm për sa i përket golave, është i jashtëzakonshëm“, tha Guardiola për sulmuesin.
“Është e qartë se ai do të bjerë, është e pamundur të qëndrosh në këtë nivel shumë gjatë, por unë do të jem atje, ne do të jemi atje pranë tij“, shtoi më tej trajneri spanjoll.
Lidhur me të ardhmen e tij, Pep Guardiola, nën kontratë deri në vitin 2027 në Manchester, tha se nuk dëshiron të bëjë pushim tani. “Në vitin 2035, do të filloj të mendoj për këtë,” bëri shaka ai.
The post Guardiola: Jemi më mirë se vjet por finishi është shumë larg, ai është i jashtëzakonshëm appeared first on Telesport.