Faruk Mujka- kryeshef ekzekutiv në Ndërmarrjen Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc” dhe Hysen Muzliukaj- ish-drejtor për Gjeodezi në Mitrovicë, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për korrupsion.
Sipas aktakuzës, Mujka në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, ndërsa Muzliukaj në cilësinë e Drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në atë komunë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private.
Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit nuk i deklaroi 60 mijë e 50 eurot që iu sekuestruan në shtëpi.
“Nuk ndihem fajtor”, deklaroi Mujka, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Absolutisht i pafajshëm”, deklaroi më pas Muzliukaj.
Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit e bënë në seancën fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale Iliriana Çollaku-Tafa.
Pas deklarimit të të akuzuarve, kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani-Hajra njoftoi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre- avokatët Xhafer dhe Ahmet Tahiri se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Seanca e 8 tetorit 2025 kishte dështuar në mungesë të të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 9 shtator 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Mujka ngarkohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë.